Komandanti i KFOR-it ka biseduar me palët në Kosovë për deeskalimin e situatës në veri

Prishtinë, 27 shtator 2021 – Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar të hënën se i ka shtuar patrullimet në rrugët e bllokuara nga serbët në veri të Kosovës dhe njësitet e veta i ka vendosur në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Franco Federici, ka njoftuar se për masat e marra ka biseduar paraprakisht me institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë qëllim të shtensionimit të situatës.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Komandanti i KFOR-it ka takuar të gjitha institucionet e Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore për të treguar se masat e marra kanë për qëllim të ndihmojnë de-eskalimin e shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit, krijimin e një mjedisi të siguirtë dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Federici.

Mëherët, KFOR-i ka bërë të ditur se e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës.

“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, thuhej në deklaratën e KFOR-it.

Mediet në Kosovë kanë raportuar se të martën më veri të Kosovës ka pasur më shumë patrullime të KFOR-it dhe monitorime nga ajri, me helikopterë. Sipas raportimeve, paradite në vendkalimin kufitar në Jarinjë kanë patrulluar pjesëtarët e kontigjentit amerikan të KFOR-it, kurse pasdite kanë patrulluar ushtarët polakë.

(r.m.)