Prishtinë, 2 mars 2022 – Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se komandot e Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë avancimin profesional në shkathtësitë luftarake me instruktorë të forcave aleate amerikane.
Mehaj, në një postim në Facebook, ka njoftuar se sot i ka vizituar në Aeroportin e Gjakovës komandot e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë të FSK-së, të cilët janë duke realizuar një program trajnimi për ngritjen e aftësive për operacione speciale, me instruktorët ushtarakë amerikanë.
“Nga afër pashë, nivelin shumë të lartë të përgatitjes së komandove tona për t’u përballur suksesshëm në secilën sfidë. Së bashku me forcat aleate amerikane gjithnjë e më të fortë!”, ka shkruar ministri Mehaj.
(r.m.)