Tiranë, 2 gusht 2022 – Shefi i rendit në Policinë e Elbasanit, Komisar Arjan Tase u arrestua të martën pasi duke drejtuar një skaf goditi për vdekje një vajzë 7 vjeçare në bregdetin e Himarës.
Sipas burimeve zyrtare të policisë ngjarja ndodhi në Plazhin e Potamit në Himarë ku skafi që drejtohej nga komisari i policisë, humbi kontrollin dhe goditi fëmijën duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës ngriti një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano përjashtoi nga policia komisarin e arrestuar Arjan Tase dhe pezulloi nga detyra Drejtorin për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë, Shpëtim Hasanaliaj.
Incidenti në det me mjetet e lundrimit është i treti i javëve të fundit në bregdetin shqiptar.
Pak kohë më parë një gomone doli nga kontrolli i drejtuesit në det dhe goditi dy të rinj që po pushonin në breg duke u shkaktuar dëmtime fizike në Plazhin e Jalës.
Një tjetër incident u shënua në bregdetin e Vlorës ku një gomone goditi një fëmijë 7-vjeçar i cili mori ndihmë mjekësore.
Pas incidenteve, në rrjetet sociale dhe në media në Shqipëri pati reagime të forta ndaj policisë që lejon qarkullimin jashtë rregullave të motorëve të ujit dhe skafeve në zona ku pushuesve u rrezikohej jeta.
Policia kufitare shqiptare tha javën e shkuar se nisi kontrolle në hapësirën detare duke sekuestruar mjetet e parregullta të lundrimit dhe duke vendosur gjoba për mosrespektim të rregullave për shumë mjete të tjera.
(Zëri i Amerikës)