Komisioni Evropian miraton Raportin e Progresit për Kosovën

Bruksel, 8 nëntor 2023 – Komisioni Evropian e ka miratuar të mërkurën Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023.

Në këtë raport, ndër të tjera, thuhet se në Kosovë janë parë disa arritje të rëndësishme ligjore, përfshirë reformat elektorale, por mungesa e bashkëpunimit mes pozitws opozitës, si edhe mospajtimet brenda shumicës parlamentare, e kanë penguar vazhdimin e reformave.

Në pjesën për dialogun me Serbinë thuhet se Kosova, në përgjithësi, është angazhuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por ajo duhet të bëjë më shumë për ta çuar përpara këtë proces drejt  normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Kosova duhet të mbajë zotimet e saj gjatë dialogut dhe të angazhohet në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin e zbatimit të saj. Kosova dhe Serbia pritet të angazhohen në mënyrë më konstruktive për të mundësuar që të fillojnë negociatat për Marrëveshje të normalizimit gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme dhe për të treguar fleksibilitet në mënyrë që të bëhet përparim i shpejtë e konkret. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht esencial për rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja palët rrezikojnë të humbin mundësinë e rëndësishme në mungesë të raportit”, thuhet në raport.

Në raport flitet edhe për situatën në pjesën veriore të Kosovës. Aty thuht se situata atje karakterizohej nga kriza të intensiteteve të ndryshme, ndërsa sulmi i grupit të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator, ishte përshkallëzimi më i rëndë i viteve të fundit në Kosovë.

“BE-ja pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thekson raporti.

Aty përmenden edhe tensionet për targat e automjeteve, tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

“Përkundër Marrëveshjes së madhe në rrugën drejt normalizimit, të arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe Aneksit të zbatimit të tij, të dakorduar në Ohër më 18 mars, dhe përkundër se Kosova zgjati afatin për regjistrim të kandidatëve për zgjedhjet në veri, jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Dalja shumë e ulët (3.47 për qind), pas bojkotit nga serbët e Kosovës, tregoi se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politke afatgjatë në ato komuna. Mbetet imperativ që të krijohet një situatë që serbët e Kosovës të marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, të organizuar në mënyrë të plotë e gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thuhet në raport.

Në pjesën e raportit për reformat në administratën publike thuhet se në Kosovë nuk janë zbatuar ende mjaftueshëm rekomandimet e vitit të kaluar. Ndërsa për ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë thuhet se ato rrezikojnë të krijojnë boshllëqet dhe të përkeqësojnë boshllëqet ekzistuese të kapaciteteve administrative.

Për sistemin gjyqësor thuhet se ka pasur përparim të kufiztuar dhe theksohet nevoja për forcimin e mjeteve për mbrojtjen e integritetit, pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të këtij sistemi.

“Ministrja e Drejtësisë dhe krerët e institucioneve kryesore gjyqësore kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët përkushtimi dhe një plan veprimi për reforma në drejtësi. Nevojitet ecje e shpejtë për të arritur rezultate të prekshme”, thuhet në raport.

Raporti i Progresit thotë se edhe në luftën kundër korrupsionit ka pasur një progres të vogël, por korrupsioni mbetet edhe më tutje një çështje shqetësuese në Kosovë.

“Ndërsa vitin e kaluar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm anti-korrupsion dhe korniza ligjore për konfiskime penale është avancuar, mbetet shumë për t’u bërë në zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit. Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit, mjetet parandaluese anti-korrupsion të përcaktuara me legjislacionin në fuqi nuk janë përdorur ende plotësisht. Kosova duhet t’i shtojë përpjekjet për të zhvilluar hetime më proaktive, vendime prëfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të aseteve”, thuhet ndër të tjera në raport.

(r.m.)