Bruksel, 27 qershor 2023 – Nga Brukseli paralajmërohet se Komisioni Evropian do të marrë këtë javë masa kundër Kosovës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.
Paralajmërimi u bë nga Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian.
Koopman tha se këtë javë do të njoftohet për masat e para që do të marrë Komisioni Evropian.
“Fatkeqësisht, autoritetet e Kosovës nuk u janë përgjigjur këtyre kërkesave. Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash të cilat do të komunikohen më vonë në këtë javë. Ato do të përfshijnë pezullimin e grupeve punuese të Stabilizim Asociimit, pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, si edhe pezullimin e propozimit të dorëzuar nga Kosova për kornizën e investimeve në Ballkanin Perëndimor, e cila nuk do të procedohet në këtë moment. Do të pezullohet gjithashtu mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave”, tha Koopman.
Ai tha se Komisioni Evropian do të pezullojë “ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe”.
Koopman theksoi se vendimet për ndërmarrjen e masave në Komisionin Evropian janë shumë të vështira dhe sekëto masa do të jenë të përkohshme.
“Më lejoni të theksoj se nuk i marrim këto veprime me lehtësi dhe këto masa duhet të shihen si të përkohshme dhe të revokueshme kur të shohim hapa sado të vegjët të autoriteteve në Kosovë për kthim në dialog dhe për përmbushjen e zotimeve që kanë dhënë”, u shpreh ai.
(r.m.)