Komisioni i BE-së verifikon marrëveshjen Rama-Meloni

Bruksel, 7 nëntor 2023 – Komisioni i BE-së i ka kërkuar qeverisë së Romës “informacione të detajuara” lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me Shqipërinë për migracionin.

Autoriteti i Brukselit është në kontakt me autoritetet italiane, “sepse ne duhet të verifikojmë detajet e marrëveshjes me Shqipërinë”, tha zëdhënësja e Komisionit të martën (07.11.2023) në Bruksel. Marrëveshja e nënshkruar (6.11.2023) në Romë nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama parashikon ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave pritëse për migrantët, që synojnë të hyjnë në Itali nga deti Mesdhe. Sipas kësaj marrëveshjeje të diskutueshme të dyja qendrat do të vihen në funksionim nga pranvera e vitit 2024 dhe do të menaxhohen nga pala Italiane. Gjithsej do të pranohen në to deri në 3000 migrantë për një afat të kufizuar në kohë.

Në Itali gjatë këtij viti kanë mbërritur më shumë refugjatë se çdo herë tjetër. Që nga janari 2023, sipas të dhënave të autoriteteve italiane, janë regjistruar 145.000 migrantë, ndërsa në të njëjtën periudhë të një një viti më parë numri i refugjatëve të regjistruar ka qenë 88.000. Sipas rregullave të BE-së vendi i parë pritës i migrantëve është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për azil.

Partia e ultra së djathtës Fratelli d’Italia (FDI) e kryeministres Meloni fitoi zgjedhjet më 25 prill 2022 kryesisht me premtimin, se do të kufizojë migracionin.

Në korrik presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen prezantoi një marrëveshje me Tunzinë si vend tranziti. Marrëveshje të ngjashme janë planifikuar edhe me Egjiptin dhe Marokun. Pakti i migracionit është i disktueshëm. Organizatat e të drejtave të njeriut e akuzojnë BE-në, se po bën “pazar të pisët” me Tunizinë që drejtohet me një regjim autoritar. Të tjerë kritikojnë, se pakti është i pamjaftueshëm për të kufizuar numrin në rritje të migrantëve, që kalojnë përmes itinerarit në detin Mesdhe.

Në Gjermani ndër të tjera partia konservatore CDU kërkon që procedurat e aplikimit për azil të realizohen në një vend të tretë jashtë kufijve të BE-së. Qeveria gjermane ka deklaruar, se do ta shqyrtojë nëse është e realizueshme një mundësi e tillë.

(DW)