Komisioni i ligjeve e miraton projektligjin për deklasifikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit

Tiranë, 7 tetor 2022 – Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi të premten projektligjin “Për informacionin e klasifikuar”, ku u përfshi me konsensus edhe amendamenti për deklasifikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944 deri në vitin 1991.

“Nga zbatimi i kësaj dispozite, përjashtohen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare,” thuhet në amendamentin e përfshirë në projektligj me propozim të kreut të grupit të PD, Enkelejd Alibeaj.

Deputetët socialistë votuan pro përfshirjes së këtij propozimi, por refuzuan të fusin një tjetër amendament sqarues mbi të, sipas të cilit, çdo institucion i Administratës Publike ka detyrimin të publikojë bibliografinë e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe çdo person gëzon të drejtën të njihet dhe të kërkojë një kopje të tyre.

“Kjo pikë do të bënte që ato të jenë të deklasifikuara totalisht,” argumentoi Alibeaj.

Ky propozim u kundërshtua nga relatorja socialiste, Ermonela Felaj, pasi sipas saj, nuk ka nevojë për specifika të tilla në këtë ligj,  pasi është ligji për Autoritetin e Dosjeve që parashikon mënyrat e njohjes me dokumentet e ish-Sigurimit.

Debati politik për këtë çështje vijoi gjatë diskutimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Nisma ligjore propozon shfuqizimin e një pike të ligjit që ndalonte AIDSSH-në që të verifikonte zyrtarë publikë që kishin kaluar një verifikim të figurës nga dy komisione të ngritura në vitet e para pas rënies së regjimit komunist, të njohur si komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.

Por një propozim i ri i Autoritetit që t’u jepej e drejta familjarëve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit që të njiheshin me dosjet e prindërve, në rastet kur ata nuk ishin gjallë, riktheu debatin për hapjen e dosjeve.

Propozimi, sipas deputetit Gazmend Bardhi, binte në kundërshtim me amendamentin e sapomiratuar  në ligjin për  “Për informacionin e klasifikuar”.  Sipas tij, kjo ishte një tentativë e mazhorancës për të vijuar praktikën e mbajtjes sekret të këtyre dosjeve.

“Ne sapo miratuam një deklasifikim të dokumenteve dhe kjo presupozon që të drejtën për t’u njohur me dokumentet e Sigurimit do ta ketë çdo person në përputhje me të drejtën e informimit,” tha ai, duke kërkuar që kjo të shkruhet në ligjin e Autoritetit të Dosjeve.

Sipas Bardhit, duhet bërë  hapje e të gjitha dosjeve për çdo person që ka interes për t’u njohur me këto dokumente dhe jo vetëm për personat e prekur apo familjarët e tyre. Ai kërkoi që të hiqen kriteret dhe subjektet e posaçme që kanë të drejtën për të kërkuar informacionin.

Por sipas Felajt, sugjerimi i Bardhit “rrëzon ligjin, rrëzon dhe autoritetin” dhe “mund të fuste njerëzit në konflikt social”.  “Nuk është ky interesi ynë, po të garantojmë të gjithë ata që kanë të drejtë të informohen,” shtoi ajo duke këmbëngulur në ruajtjen e procedurës së deklasifikimit siç është në ligjin për Autoritetin.

Deputetët nuk i votuan ndryshimet në dispozitat e këtij ligji, pasi komisioni vendosi të shtynte diskutimin për mbledhjen e radhës.

Nisma për riverifikim të “çertifikatës së pastërtisë” së komisioneve të mëparshme u nxit nga debati i muajit gusht për pastërtinë e figurës së ish-presidentit Ilir Meta.

Një shkresë e Autoritetit të Dosjeve drejtuar Kuvendit fliste për indicje që mund të implikonin Metën si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit. Vetë Meta i hodhi poshtë akuzat dhe bëri padi penale për falsifikim dokumentash për anëtarët e bordit drejtues të AIDSSH-së.

Debati për të shkuarën në këtë sesion parlamentar do të vijojë me një tjetër nismë ligjore për të sanksionuar në Kodin Zgjedhor verifikimin e lidhjeve me ish-Sigurimin për çdo kandidat për deputet dhe kryebashkiak.

(Reporter.al)