Tiranë, 6 shtator 2022 – Në Tiranë, komisioni parlamentar për reformën zgjedhore i kërkoi sot Kuvendit, që të zgjasë edhe 6 muaj të tjerë mandatin e punës së tij.
Por deputetë të opozitës dhe ekspertë të pavarur shprehën shqetësim për skadimin pa asnjë rezultat të mandatit prej 6 muajsh.
Ata pohuan se komisioni tashmë është pa mandat të ligjshëm, dhe nuk mund të kërkojë edhe 6 muaj të tjerë, ndërsa zgjedhjet e ardhshme vendore pritet të mbahen në pranverë.
I mandatuar në fillim të shkurtit, komisioni parlamentar i reformës zgjedhore zhvilloi në qershor mbledhjen e parë, në gusht i mbaroi mandati 6 mujor, ndërsa sot u mblodh për të miratuar listën e ekspertëve teknikë dhe për t’i kërkuar Kuvendit edhe 6 muaj të tjerë zgjatje mandati.
Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, thotë për Zërin e Amerikës se reforma zgjedhore ka hyrë në një fazë kritike.
“Partitë e mëdha vazhduan përsëri me traditën e heshtjes, thyerjes së afateve dhe shtyrjes së reformës zgjedhore deri në minutën e fundit, kur nuk ka përgjegjshmëri dhe seriozitet politik” – thotë zonja Meta.
Ajo tha që komisioni parlamentar i reformës zgjedhore gjendet jashtë afatit ligjor dhe pas 6 muajsh nuk arriti të kryejë asnjë punë dhe madje nuk nxori asnjë plan pune.
“Nëse Kodit Zgjedhor do t’i bëhen ndryshime madhore e thelbësore, që do të ndihmojnë për të patur procese të lira, të ndershme e demokratike, duhet patjetër një vit përpara t’i jepet kohë palëve politike, qytetarëve, votuesve, që të përshtaten me to. Në pranverë ne kemi zgjedhje vendore dhe ende nuk dimë se cilat do të jenë ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, Damian Gjiknuri, thotë për Zërin e Amerikës se këto 6 muaj opozita mori shumë kohë me propozimin e anëtarëve të saj për shkak të problemeve të tyre të brendshme, ndaj mbledhja e parë u bë në qershor.
Sipas tij, ndryshimet ligjore të reformës zgjedhore lidhen më së shumti me zgjedhjet e përgjithshme, dhe nuk pritet që ato të jenë në funksion të zgjedhjeve vendore të pranverës, të cilat janë të drejtpërdrejta dhe një sistem i konsoliduar.
“Shumica e çështjeve i përkasin zgjedhjeve të përgjithshme, por mund të dalin edhe kërkesa për tema që prekin zgjedhjet vendore. Ne jemi të hapur të dëgjojmë kërkesat e palëve edhe sa i takon ndonjë kërkese për zgjedhjet vendore. Mund të kemi edhe një qasje të përshtatshme me dy faza: mund të adresojmë çështjet për zgjedhjet vendore, dhe më vonë për zgjedhjet e përgjithshme. Por rregulli që reforma duhet mbyllur një vit para zgjedhjeve vlen për zgjedhjet e përgjithshme. Mendoj se jemi në kohë për të adresuar çështjet kryesore që kanë të bëjnë me depolitizimin e administratës zgjedhore etj., të cilat janë prej kohësh në krye të rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it” – thotë zoti Gjiknuri.
Ai shtoi se shumica socialiste ka treguar me prova se ka pranuar çdo kërkesë nga opozita, që të rritet besueshmëria e saj tek procesi zgjedhor, siç ishte kërkesa me faturë shumë të shtrenjtë, për digjitalizimin e procesit të votimit etj.
“Partia Socialiste do të bëjë çdo përpjekje për të përmbushur pretendimet e grupeve të ndryshme opozitare, por nga ana tjetër shpreson që në radhët e opozitës të konsolidohet kultura e pranimit të rezultateve zgjedhore, qofshin humbëse apo fituese, dhe e heqjes dorë nga mosbesimi ndaj proceseve të rregullta, vetëm pse rezultatet nuk janë ato që presin opozitarët” – tha zoti Gjiknuri.
Bashkëkryetari opozitar i komisionit të reformës zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, njëherësh kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, miratoi në mbledhje listën e ekspertëve dhe propozimin për të shtyrë me 6 muaj mandatin e komisionit.
Zoti Alibeaj tha në mbledhje se ekspertët dhe komisioni do të nxjerrin shumë shpejt një plan pune të detajuar për të diskutuar probleme themelore që dëmtojnë proceset zgjedhore.
Ndërsa deputeti Oerd Bylykbashi, ekspert me përvojë 20 vjeçare në reformat zgjedhore, anëtar i këtij komisioni, nuk mori pjesë në këtë mbledhje, sepse sipas tij, pas skadimit të mandatit, komisioni është inekzistent, se këtë zgjatje mandati komisioni duhet ta kërkonte në korrik, ndërsa tani parlamenti duhet të krijojë një komision të ri për reformën zgjedhore. Sipas tij, sot u keqpërdor një mjet i rëndësishëm, siç janë komisionet konsensuale për reformat e rëndësishme.
“Komisioni i reformës zgjedhore nuk mund të jetë mjet i pazarit politik, as i orkestrimit të interesave të ngushta. Komisionit i skadoi mandati në gusht. Kjo do të thotë që sot nuk ka komision të reformës zgjedhore. Kjo mbledhje që ka bërë sot komisioni është pa mandate, që do të thotë se është mbledhje e paligjshme. Nuk mundej as të mblidhej, as të kërkonte kuorum, as të merrte vendime. Rregullorja dhe praktika nuk njeh asnjë mundësi apo rast që komisioni jashtë mandatit të mblidhet dhe të marrë vendim. Mbledhja e sotme nuk mund të ndodhte dhe as ka ndodhur më parë ndonjëherë në Kuvend, ndaj nuk shkova atje, sepse nuk doja të bëhesha pjesë e një farse të tillë” – thotë zoti Bylykbashi për Zërin e Amerikës.
Ai theksoi se komisioni i kishte rekomandimet e OSBE/ODIHR-it si një plan pune, por nuk bëri asgjë për 6 muaj, edhe pse dihet që rekomandimet i prekin zgjedhjet vendore.
“Kuvendi dështon të kryejë një reformë të kërkuar nga OSBE-ODIHR dhe ndërkombëtarët, ndërkohë që proceset zgjedhore janë përkeqësuar nga një radhë në tjetrën” – tha zoti Bykbashi.
Për socialistët, pikat kyçe të kësaj reforme janë depolitizimi i komisioneve zgjedhore, rishikimi i herësit për deputetët, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe votimi në distancë prej diasporës.
Ndërsa për opozitën, pikat më themeleore të reformës janë shitblerja e votës, përdorimi masiv dhe i dhunshëm i administraës dhe mjeteve të saj, cënimi i sekretit dhe lirisë së votës.
Presidenti i Republikës mund të dekretojë datën e zgjedhjeve brenda tetorit, pohojnë ekspertët, dhe 6 muaj të tjerë për reformën mund t’i mbivendosen periudhës së fushatës së ardhshme zgjedhore, duke vënë në vështirësi administratën zgjedhore dhe vetë qytetarët gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)