Komisioni i Rithemelimit të PD-së: Ambasadorja Kim vërtetoi se është në shërbim të Edi Ramës

Tiranë, 5 prill 2022 – Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, i pranuar nga Gjykata Civile Tiranës si organ drejtues i partisë, ka reaguar pas takimit të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, të cilin ajo e njohu edhe si kryetar në detyrë të PD-së.

Komisioni, përmes një deklarate për medie, ka thënë se ambasadorja Kim e shkeli Konventën e Vienës, duke shpërfillur vendimin e gjykatës që Komisionin e Rithemelimit e njohu si organ të vetëm udhëheqës të PD-së.

Nëdeklaratë thuhet se ambasadorja amerikane në Tiranë, me këtë akt, “vërteroi se është në shërbim të lojërave të kryeministrit Edi Rama” për të mbajtur sa peng opozitën sa më gjatë.

“Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojërave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët”, thuhet në deklaratë.

“Për fat të mirë, shqiptarët e kanë kuptuar se vlerat e vërteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati, por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës”, thuhet në fund të deklaratës së Komisionit të Rithemelimit të PD-së.

Deklarata e plotë:

Pas një heshtje të zgjatur e të kuptueshme nga zgjedhjet e 6 Marsit, ambasadorja Yuri Kim injoroi themelin e demokracisë së shtetit të saj “We, the People”.

Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike.

Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçëse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vienës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike. Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars.

Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojrave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët.

Per fat te mirë, shqiptaret e kanë kuptuar se vlerat e verteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati, por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës.

(r.m.)