Tiranë, 6 maj 2021 – Në Shqipëri, komisioni parlamentar i ligjeve miratoi sot nisjen e procedurave për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, “për shkelje të rënda të Kushtetutës”, siç u shpreh grupi nismëtar i deputetëve socialistë.
Komisioni i ligjeve e mori vendimin me 14 vota pro e një kundër, pasi dëgjoi relatoren, që foli për një “numër të madh provash nga veprimtaria e Presidentit me shkelje të rënda të Kushtetutës para dhe gjatë procesit zgjedhor, duke shkelur paanshmërinë dhe duke nxitur dhunë e urrejtje”.
Ky vendim nuk u ndikua nga letra që Presidenti Meta i dërgoi komisionit, ku ai tha se koha ishte e pamjaftueshme të paraqitej në një seancë dëgjimore me ligjvënësit sot paradite ndërsa ftesën e mori dje pasdreke.
Presidenti Meta tha se nuk mund të ndryshonte axhendën e ditës së sotme, ku janë parashikuar prej kohësh takime me personalitete të huaja, duke kërkuar zhvillimin e seancës dëgjimore të hënën.
Por komisioni tha se presidenti me këtë shtesë kohe synon të tejkalohen afatet ligjore, dhe e votoi nismën pa e pritur dëgjimin e tij.
Vendimi i sotëm iu përcoll menjëherë parlamentit, i cili mblidhet nesër në seancë plenare, dhe sipas procedurave, deputetëve do t’ju duheshin 48 orë të njihen me materialet.
Mbeten për t’u parë hapat e tjera të parlamentit dhe interpretimi, që ai do t’i bëjë afateve të skajshme ligjore, të cilat gjithsesi duhet të mbërrijnë tek Gjykata Kushtetuese, e cila merr vendimin përfundimtar për shkarkimin ose jo të preseidentit.
Ngritja e komisionit hetimor, që do të vlerësojë kërkesën për shkarkim, duhet të miratohet në seancë plenare brenda datës 9 maj, që përkon dhe me fillimin e katërmujorëshit të fundit të parlamentit, kohë në të cilën nuk mund të ngrihen komisione hetimore.
Një nismë e ngjashme dy vjet më pare u mbyll me tërheqjen e socialistëve, pasi Komisioni i Venecias vlerësoi se “sjellja e Presidentit, nuk duket se justifikon shkarkimin e tij”.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)