Bashkëpunimi më shumë se një dekadë mes botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami dhe asaj që “The New York Times” e quan “dekane e organizatave hebreje në SHBA”
Nga Ruben Avxhiu
Në festën e përvitshme, “Koktejle dhe Qirinj”, që organizon me rastin e Hanukkah, Komiteti Amerikano Hebre (ACJ), këtë vit për të ndezur qiriun e parë simbolik në Nju Jork, ishte i ftuari i nderit shqiptaro-amerikani Vehbi Bajrami.
Mes të ftuarve të vitit kishte udhëheqës të Degës së Nju Jorkut të ACJ-së, diplomatë të huaj, ligjvënës, miq e bashkëpunëtorë të komuniteteve të ndryshme etnike e fetare, aktivistë të kauzave të përbashkëta etj.
Për secilin nga tetë qirinjtë e ndezur ishte caktuar një temë për të folur dhe një grup miqsh për të nderuar.
Gjithshka filloi me qiriun e parë dhe mikun shqiptar. Vehbi Bajrami është një alumni i Projektit Ndërshkëmbim të ACJ-së, në sajë të të cilit vizitoi rreth dhjetë vjet më parë Izraelin. Këtij udhëtimi i kushtoi edhe një libër të botuar në anglisht me titullin “My Trip to Holy Land” (Udhëtimi im në Tokën e Shenjtë”).
Bashkëpunimi mes botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami dhe Komitetit Amerikano Hebre ka qenë i vazhdueshëm për më shumë se një dekadë. Ai ka ndërmjetësuar që ACJ të vendosë marrëdhënie me shumë organizata shqiptaro-amerikane.
ACJ është një organizatë që mbron interesat dhe çështjet e hebrejve në SHBA, po edhe kudo në botë, duke përfshirë edhe lobimin në ndihmë të shtetit të Izraelit. Po organizata u bë veçanërisht e njohur për shqiptarët, kur mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe mblodhi mbi një milion dollarë për refugjatët shqiptarë të luftës, që u dëbuan nga Millosheviqi.
Pak vite më parë, Vehbi Bajrami ndërmjetësoi që kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi të bënte një vizitë në Zyrat e AJC-së në Nju Jork për të prezantuar shtetin më të ri në Europë dhe për të gjetur rrugë bashkëpunimi, mes Kosovës dhe Komitetit Amerikano Hebre si dhe me vetë Izraelin.
“Ka një histori të gjatë miqësie shumëshekullore mes shqiptarëve dhe hebrejve”, tha ai për gazetën. “Ndonëse ne dimë më shumë tani për shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët gjatë Holokaustit, lidhjet janë shumë më të lashta e në epoka të ndryshme historike, siç e kam përshkruar edhe në libër”.
“Ne u jemi mirënjohës për ndihmën e çmuar që shumë kongresistë hebrej kanë dhënë për kauzën e Kosovës”, tha Vehbi Bajrami. “Pa miqësinë e figurave të tilla si Tom Lantos, Elliot Engel, Ben Gilman, Jerrold Nadler, Joe Lieberman -e shumë figurave hebreje të Washingonit, nga Madaleine Albright te William Cohen, çështja e Kosovës nuk do të ishte vënë kurrë në qendër të vëmendjes botërore e nuk do të kishte ardhur çlirimi dhe pavarësia e saj”.
Ai tha se interesi i tij ishte më shumë në krijimin e marrëdhënieve të mira mes dy komuniteteve, këtu ku jetojmë në SHBA.
Ka plot gjëra që i bashkojnë shqiptarët dhe hebrenjtë këtu dhe Bajrami tha se ishte një kënaqësi që mori pjesë në festën e tyre, të bukur.
“American Jewish Committee” (AJC) është krijuar qysh në 1906 dhe është cilësuar nga “The New York Times” si “dekane e organizatave hebreje në SHBA”.
Komiteti ka 22 zyra në SHBA dhe mbi 10 të tilla nëpër botë, por qendra ndodhet në Nju Jork, ku ka jetuar historikisht një nga komunitetet më të mëdha hebreje në botë.
Hanukkah është një nga festat e përvitshme të hebrejve. Në hebraisht do të thotë “përkushtimi” dhe përkujton ripërkushtimin e Tempullit të Shenjtë në Jeruzalem, kur hebrenjtë që refuzuan të asimilohen nga kultura dhe besimet greke ngritën krye dhe i dëbuan grekët nga Toka e Shenjtë. Kur u përpoqën të ndiznin Menorën e Tempullit, ata gjetën vetëm një degë peme që nuk ishte shkatërruar nga grekët. Sipas legjendës, ndonëse kishte vaj vetëm për një ditë, dega mbeti e ndezur 8 ditë me radhë, një mrekulli të cilën hebrenjtë e besojnë dhe e festojnë edhe sot e kësaj dite.
Në të ashtuquajturin Festivalin e përvitshëm të Hanukkah, hebrenjtë ndezin çdo ditë nga një qiri për tetë ditë me radhë duke thënë lutje e kujtuar mrekullitë e betejat e të kaluarës.
Për shkak të afërsisë në kalendar me Krishtlindjen, Hanukkah është bërë një festë popullore edhe mes hebrejve që nuk janë fetarë, duke shtuar numrin e festimeve në vende si Nju Jorku, ku dhjetori është kthyer në një muaj festash.
Në mbrëmjen e organizuar nga AJC në Nju Jork, Drejtori Michael Schmidt dhe Presidenti Craig Unterberg, ndezën njëri pas tjetrit, në mënyrë simbolike, tetë qirinj dhe folën për nga një aspekt të punës së tyre për çdo qiri që ndezën.
Në grupet e vogla që ndezën qirinj bashkë me ta ishin edhe diplomatë europianë, anëtarë të Komitetit Këshillues Myslimano-Hebre, zyrtarë të Çështjeve të Komunitetit të Policisë së Nju Jorkut, zyrtarë të ngarkuar me luftën ndaj krimeve të urrejtjes, Konsulli i Meksikës etj.
“Kur qendronim nën dritën e qirinjve dhe hodhnim sytë nëpër sallë, ishte një kënaqësi e madhe që ju shihnim aty bashkë me ne, miq e bashkëpunëtorë, që përpiqeni së bashku me ACJ-në për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e të gjithë njerëzve”, thuhej në falenderimin e dërguar me këtë rast nga organizatorët.
“Është vërtet një bashkëpunim i çmuar”, tha për gazetën Vehbi Bajrami, “Duhet ta nxisim dhe forcojmë edhe më shumë në vitet që vijnë”.