Beograd, 8 mars 2022 – Kompania ukrainase e IT-së “Intellias” ka njoftuar se do ta mbyllë zyrën e saj në Beograd dhe se qendrën ballkanike të IT-së që kishte planifikuar ta hapte në Serbi do ta hapë në Kroaci.
Vitaly Sedler, CEO dhe bashkëthemelues i “Intellias” ka bërë tëditur se ky vendim është marrë për shkak të qëndrimit pro-rus të Serbisë.
“Ne kemi vendosur ta mbyllim zyrën në Serbi dhe të hapim qendrën ballkanike të IT-së në Kroaci. Në këto kohë të vështira, ne nuk ndjejmë mbështetjen e duhur nga autoritetet serbe, kështu që ‘Intellias’ ka vendosur të zhvendosë qendrën e saj të zhvillimit në Kroaci. Zyra e re do të të jetë e vendosur në Zagreb”, ka thënë Sedler.
“Ne zgjodhëm Kroacinë për shkak të pozicionit të saj të qëndrueshëm pro-ukrainas, duke ndihmuar ushtrinë tonë dhe duke i mbrojtur refugjatët tanë, duke r mbështetur kërkesën e Ukrainës për anëgtarësim në BE dhe duke mbyllur hapësirën ajrore për forcat ajrore ruse”, ka shkruar ai.
Sedler e ka vlerësuar mbështetjen e Kroacisë për luftën në Ukrainë dhe për strehimin e refugjatëve ukrainas.
“Ne shohim se udhëheqja politike kroate po e mbështet në mënyrë aktive Ukrainën në luftë dhe po ofron strehim për refugjatët. Vullnetarët kroatë shkuan në Ukrainë për të ndihmuar ushtrinë tonë. Duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë, ne morëm një vendim të shpejtë për të zhvendosur zyrën e Intellias në Zagreb”, ka shpjeguar ai.
Kompania “Intellias” i ka mbi 2.000 punonjës në Ukrainë (Kiev, Lviv, Odessa, Kharkiv e Ivano-Frankivsk) si edhe në Gjermani (Berlin) dhe Poloni(Krakov).
(Index.hr)