Kompanitë e një grupi italianësh akuzohen për pastrim parash në Shqipëri

Tiranë, 25 korrik 2024 – Prokuroria e Tiranës akuzon për pastrim parash tre shtetas italianë dhe një shqiptare, të cilët themeluan një rrjet kompanish në Shqipëri për transferta dhe transaksione me produkte që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme në Spanjë.

Në dimrin e vitit 2018, një grup shtetasish italianë themeluan me kosto minimale një rrjet kompanish private në Shqipëri me objekt menaxhimin financiar apo ofrimin e shërbimeve të ndryshme.

Por një hetim i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar vite më pas se aktiviteti i dyshuar i këtyre kompanive ishte pastrimi në Shqipëri i parave që dyshohet se u përfituan në mënyrë të paligjshme në Spanjë, apo vende të tjera të Europës si Italia apo Zvicra.

Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten se kishte ngritur akuzë ndaj tre shtetasve italiane, Claudio Cucchi, Saverio Ciampi dhe Manrico Erriu si dhe shtetases shqiptare Jozefina Gjoni për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas njoftimit, nga hetimi i filluar në Shqipëri në vitin 2021 ka rezultuar se personat në fjalë janë nën hetim edhe nga autoritetet spanjolle për krime ekonomike të kryera atje nëpërmjet kompanive të ndryshme në Tenerife të Spanjës.

Katër personat akuzohen se me dashje kanë krijuar shoqëri në Shqipëri, duke investuar paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme në Spanjë, e duke nxjerrë edhe përfitime nga veprimi i paligjshëm i bërë prej tyre.

Kompanitë e themeluara në Shqipëri, që dyshohet se janë përdorur për pastrim parash janë “Gold International Advisor; “Gold Explorer Consulting”; “IDP-Italia Detergenza Professionale dhe “Consorzio Albania Italia”; të gjitha të themeluara në harkun e një viti mes 2018-2019.

Sipas prokurorisë, këto kompani janë përdorur për të kryer transaksione financiare me shoqëritë mëma, të cilat mbajnë emra të njëjtë.

“Rezultoi se nëpërmjet krijimit të shoqërive tregtare si dhe nëpërmjet qarkullimit të parave në bankë, këta shtetas kanë tentuar të pastrojnë produktin e veprës penale, duke e simuluar veprimtarinë e kryer prej tyre si të ligjshme,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas hetimeve, shtetasit italianë kanë krijuar fillimisht kompani në Spanjë, ku janë nën hetim për veprën penale të “mashtrimit” dhe më pas kanë krijuar kompanitë “bija” në Shqipëri, përmes së cilave kanë kryer transaksione financiare.

(Reporter.al)