Sarajevë, 14 shtator 2021 – Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, e ka kritikuar kancelaren gjermane Angela Merkel për vendet që zgjodhi të vizitojë në Ballkanin Perëndimor, por dhe për fjalët e zgjedhura për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Komshiq ka thënë se nuk e ka të qartë përse Merkel veproi kështu, por ka theksuar se ajo dërgoi sinjale të këqija.
“Kancelarja gjermane zgjodhi një format të tillë takimi, nuk e di pse. Ajo shkoi te Vuçiqi për ta mbështetur edhe një herë, gjë që ne mendojmë se është gjë e keqe dhe dërgon sinjale të këqija, por kështu është. Si kompensim për atë takim, u caktua edhe një takim me kryeministrat e tjerë në Tiranë”, ka thënë Komshiq,citon AlJazeera.
Ai ka thënë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen njësoj.
“Prej një vendi si Gjermania dhe një personi serioz si Merkeli, ju prisni të jenë të informuar mirë. Nuk kam dyshim se institucioneve në Berlin u mungojnë disa informacione. Çështje e vetme është se cili është qëllimi i kësaj politike. Nëse është qëllim që Serbia të bëhet shefe rajonale, kjo nuk do të funksionojë. I thashë edhe Cristian Schmidtit (Përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnjë). Ne mund të jemi të barabartë dhe vetëm mbi këtë bazë mund të flasim. Nuk ka më shefa në Ballkan”, është shprehur Komshiq.
Gjatë vizitës së saj në Beograd, Merkel e lavdëroi Vuçiqin për punët e kryera dhe e quajti atë si “njeri të fjalës”.
Presidenca e Bosnjës ka tre anëtarë, të tri etnive: boshnjak, serb dhe kroat. Dy anëtarët tjerë janë Shefik Xhaferoviq, boshnjak dhe Milorad Dodik, serb.
(r.m.)