Komuniteti Politik Evropian diskuton mbi sfidat e sigurisë globale

Budapest, 7 nëntor 2024 – Dhjetëra udhëheqës të vendeve evropiane përfshirë ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor u zotuan të enjten për bashkëpunim të shtuar në përgjigje të, siç thanë regjimeve autoritare si ai në Rusi që vënë në rrezik rendin ndërkombëtar.

Zotimet u bënë në hapje të takimit të pestë të Komunitetit Politik Evropian, i cili po zhvillon punimet në Budapest të Hungarisë, një ditë pasi Donald Trump u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu bindjen se Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e administratës së re amerikane në proceset integruese, duke theksuar se një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është thelbësor për paqen dhe sigurinë në botë.

“Si shtet që kemi përfituar aq shumë nga ky partneritet euroatlantik, besoj se zgjedhja e zotit Trump si President do ta thellojë këtë marrëdhënie dhe pa dyshim të gjithë ne duhet të kontribuojmë për këtë. Kosova ka gëzuar mbështetjen dypartiake nga çdo administratë amerikane që nga vitet e ’90-ta. Kemi qenë të bekuar me këtë mbështetje prandaj kemi çdo arsye të besojmë se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe me administratën e re Trump”, tha ajo.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se për Shqipërinë marrëdhëniet me SHBA-në mbesin të njëjta pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve presidenciale mund të jetë një mundësi shumë e mirë për të riformësuar shumë gjëra.

“..dhe për ta parë botën nga një tjetër këndvështrim, për ta parë vet Evropën pak më ndryshe sepse ajo po plaket, Evropa ka nevojë për shumë më shumë energji dhe shumë më pak rregullore dhe mbase kjo është një mundësi për të lëvizur gjërat”, tha ai.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shfaqi besimin se tani ka shpresë të diskutohet për paqe ose armëpushim në Ukrainë.

“Sepse këto fjalë nuk ishin aspak të njohura deri tani. Tani besoj se këto fjalë po bëhen edhe një herë të pashmangshme në fjalorin tonë të përditshëm. Dhe shpresojmë se njerëzit do të shfrytëzojnë fitoren e zotit Trump për ta diskutuar atë në një mënyrë bindëse e gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Udhëheqës evropian shfaqën shpresën se bashkëpunimi transatlantik do të mbetet i fortë në mënyrë që të zgjidhen problemet e rëndësishme rajonale dhe globale.

“Ne do të punojmë me administratën e re Trump në një mënyrë të mirë dhe të shohim se çfarë kemi përpara nesh. Unë kam përvojë në bashkëpunimin me Presidentin Donald Trump nga mandati i tij i kaluar, kështu që kemi një bazë mbi të cilën do të vazhdojmë të punojmë. Mendoj që është e rëndësisë së posaçme që të analizojmë së bashku se çfarë janë interesat tona të përbashkëta dhe të punojmë rreth tyre. Është në interesin tonë që autokratët e kësaj bote të marrin një mesazh shumë të qartë se nuk ka një drejtësi të të fortëve por se sundimi i ligjit është i rëndësishëm”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ne kemi një qëndrim të qartë si Bashkim Evropian, ne duam ta forcojmë Ukrainën sepse duke bërë këtë ne forcojmë vetveten, ky është elementi i parë. Gjithashtu e dijmë se nëse tregohemi të dobët me regjime autoritare, si Rusia, kur ato vënë në rrezik rendin ndërkombëtar ne dërgojmë një sinjal shumë të rrezikshëm për cenueshmërinë e pjesës tjetër të botës. Unë i besoj shoqërisë amerikane, jam i bindur se ajo shoqëri është e ndërgjegjshme se është në interesin e tyre që ne të tregojmë vendosmërinë tonë kur përballemi me regjime autoritare”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Rusia po i dhuron teknologjitë më të reja Koresë Veriore në këmbim të ndihmës së saj në luftën kundër Ukrainës. Pra ky nuk është kërcënim vetëm për pjesën evropiane të NATO-s por edhe për vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nënkupton që pjesa evropiane në NATO dhe Shtetet e Bashkuara e Kanadaja duhet të punojmë së bashku, kështu që unë mezi pres të ulem me Donald Trump-in dhe të diskutojmë se si mund të përballemi me kërcënimet bashkërisht dhe çfarë duhet të bëjmë më shumë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë për udhëheqësit evropianë që të diskutojnë çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti, nga siguria dhe migrimi te qëndrueshmëria ekonomike dhe mjedisi. E nisur në vitin 2022, kjo platformë synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin midis Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tij.

(Zëri i Amerikës)