Në ambientet e bukura të sallës Nënë Tereza pranë Kishës Katolike “Zoja Pajtore” në Southfield, Michigan, u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Komunitetit Shqiptar, të përfaqësuar nga grupi i punës (i përbërë nga përfaqësuesit e shoqatave “KOSOVA” dhe “JEHONA E MALSISË” me kompaninë më të madhe në botë për pije freskuese- “Coca Cola” si dhe me komapninë më të madhe të pijeve freskuese për shtetin e Michiganit,-“Leonards”.
Në emër të komunitetit shqiptar kontratën e nënshkroi kryetari i grupit të punës, z. Gjevalin Gegaj. Nga ana e kompanive të njohura nënshkruan z. Joshua Bennett për kompaninë “Coca Cola” dhe z. Lucas Iskar në emër të kompanisë “Leonards”.
Me këtë marrrëveshje përfitojnë pronarët e restoranteve, të cilët do të blejnë produktet nga këto kompani me çmimin më të ulët në treg, e të njëjtën kohë një përqindje nga çmimi në fjalë shkon në fondin e komunitetit me qëllim që të grumbullohen mjetet për ndërtimin e Qendrës Kulturore Shqiptare në Michigan.
Komuniteti Shqiptar në Michigan është i regjistruar si shoqatë jopërfituese.
Pjesëmarrësit në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj kontrate vlerësuan se kjo marrëveshje është arritja më e madhe në historinë e komunitetit tonë, në Michigan.
(Burimi: Komuniteti Shqiptar në Michigan)






