Të Hënën, më 23 Tetor 2023, komuniteti Shqiptaro-Amerikan do të protestojë para Selisë së OKB-së në Sheshin Dag Hammarskjöld në Nju Jork për t’i dënuar aktet e vazhdueshme të terrorizmit dhe luftënxitëse të Serbisë. Shqiptaro-Amerikanët i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar që të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për ta detyruar Serbinë që t’i ndalojë dhe të përmbahet nga veprimet dhe politikat që janë duke e minuar stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit. Së fundmi, më 29 Maj 2023, Serbia orkestroi protestat e dhunshme në veriun e Kosovës që rezultuan me sulme të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR. Më 24 Shtator 2023 terroristët dhe njësitë para-ushtarake nga Serbia ndërmorën një sulm terrorist në Kosovë. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kërkon që Serbia dhe udhëheqësit e saj të mbahen përgjegjës, si dhe të gjithë të përfshirët në aktet e agresionit dhe terrorizmit të sillen para drejtësisë. Rajoni i Ballkanit është një fuqi baruti. Nëse nuk ndërhyhet, mund të ndizet një luftë e re në zemër të Evropës e që do të jetë një luftë shtesë me të cilën do të duhet të ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar.
—
Data dhe ora: E Hënë, 23 Tetor 2023 – Fillon ne ora 13:00
Vendi: Dag Hammarskjöld Plaza, Këndi i Rrugës East 47th & Avenusë 1 në Nju Jork, NY 10017
Ngjarja: Protesta organizohet në ditën kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së mban takimin e rregullt për Kosovën. Ky takim mbahet pas sulmit të fundit terrorist në Kosovë nga terroristët para-ushtarakë Serbë, që rezultoi me vrasjen tragjike të një polici të Kosovës dhe lëndime të tjerëve. Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së pritet të fillojë nga ora 15:00.
Informata kontaktuese: Për më shumë informata, përfshirë për të caktuar intervista me organizatorët, ju lutem kontaktoni [email protected] ose +1 347 398-6161
Pamjet: Mediat do të kenë mundësi që të marrin pamje të ngjarjes, si fotografi ashtu dhe video.
Organizatorët: Protesta organizohet nga komuniteti Shqiptaro-Amerikan, i përbërë nga më shumë se njëqind shoqatave të ndryshme të këtij komuniteti nga vende të ndryshme të SHBA-së.