Konfirmohen kryetarët e 18 komunave të Kosovës

Prishtinë, 23 nëntor 2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave të Kosovës.

KQZ-ja ka njoftuar se rezultatet e certifikuara janë për Gjakovën, Gllogocin, Gjilanin, Istogun, Kaçanikun, Klinën, Fushë Kosovën, Kamenicën, Obiliqin, Rahovecin, Podujevën, Prishtinën, Shtimen, Vitinë, Vushtrrinë, Malishevën, Junikun dhe Mamushën.

Por rezultatet mbesin të pacertifikuara për ti komuna të tjera, atë të Dragashit, Prizrenit dhe Kllokotit.

“Aktualisht në PZAP janë në procedurë të shqyrtimit dhe vendosjes dy ankesa që kanë të bëjnë me komunën e Prizrenit dhe Kllokotit, ndërsa një tjetër, që ka të bëjë me komunën e Dragashit është në proces në Gjykatën Supreme”, thuhet në njoftimin për media të KQZ-së.

Sipas të dhënave të KQZ-së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit votuan rreth 43 për qind e qytetarëve me të drejt vote.

Qytetarët votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave dhe asambletë komunale në 38 komuna sa ka gjithsej Kosova.

(REL)