Konfirmohet se Danimarka do ta marrë me qira një burg në Kosovë

Prishtinë, 16 dhjetor 2021 – Ministria e Drejtësisë e Kosovës konfirmoi se Danimarka do të marrë me qira një burg në Kosovë për 300 të burgosur që pritet të dëbohen nga ky shtet, pas vuajtjes së dënimit.

Sipas njoftimit të ministrisë, marrëveshja mes dy palëve lidhur me këtë çështje pritet të nënshkruhet të hënën, më 20 dhjetor, gjatë vizitës në Kosovë të ministrit danez të Drejtësisë, Nick Haekkerup.

Marrëveshja parashihet të jetë e vlefshme 10 vjet, ndërsa Kosova do të përfitojë 210 milionë euro, të cilat thuhet se do të dedikohen për investime kapitale nësistemin e burgjeve.

“Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

Projekti për marrjen me qira të qelive të burgut, synon të zgjidhë problemin e mbipopullimit të burgjeve në Danimarkë. Numri i të burgosurve në burgjet e Danimarkës është rritur për 19 për qind nga viti 2015. Në fillim të vitit 2021, numri i të burgosuve në këtë vend ka shkuar në mbi 4,000, shifër kjo 100 për qind më e lartë se kapacitetet ekzistuese.

Në të njëjtën periudhë, në këtë shtet skandinav me 5.8 milionë banorë, i cili njihet për burgjet e hapura për të burgosurit me dënime me më pak se pesë vjet, numri i gardianëve është zvogëluar për 18 për qind.

Ministria daneze e Drejtësisë njoftoi se synon që deri në vitin 2025 të shtojë kapacitetin e burgjeve të vendit për 326 vende.

“Deri në vitin 2025 në kapacitetet e burgjeve tona do të kemi mungesë për deri 1,000 vende”, ka thënë Haekkerup.

Sipas Raportit Botëror të Burgjeve të Universitetit të Londrës, në vitin 2020 Kosova i kishte 1,642 të burgosur ose 97 për qind të kapacitetit të saj.

Më parë Norvegjia dhe Belgjika kanë marrë me qira qeli burgu në Holandë.

(r.m.)