Konfiskohen 7 vila që u ndërtuan pa leje në pyjet e Mulletit

Tiranë, 6 dhjetor 2024 – Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata respektive ka vendosur konfiskimin e 7 vilave të ndërtuara pa leje në pyjet e zonës së Mulletit, si dhe ka deklaruar fajtorë 9 persona për “ndërtim të paligjshëm” e “falsifikim të dokumenteve”.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten më 5 dhjetor konfiskimin e 7 vilave në zonën pyjore të Mulletit, që ishin ndërtuar duke përdorur dokumentacion tekniko ligjor të përdorur me të dhëna të rreme. Me kërkesë të prokurorisë, 9 persona me stë cilëve dy arkitektë, janë gjetur fajtorë nga gjykata për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Nga hetimi i filluar në vitin 2023, është konkluduar se në dy zona pyjore në Mullet të Tiranës, janë ndërtuar 7 vila, formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që nga verifikimet ka rezultuar se dokumetacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme. Po ashtu, është konstatuar cenimi i fondit pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë.

Sipas prokurorisë, lidhur me këtë çështje janë duke u kryer ende hetime, për të evidentuar veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve të enteve publike, si dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

(Reporter. al)