Tiranë, 11 qershor 2024 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 11 qershor vendimmarrjen e formës së prerë të gjykatës respektive për konfiskimin e pasurive të Denis Matoshit (Eldi Dizdari), i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në Itali, pasi ndaj tij Gjykata e Firences ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve në sasi të mëdha”. Në njoftim thuhet se në fletëporosinë italiane konstatohet se organizata kriminale në të cilën bën pjesë Denis Matoshi, ka trafikuar disa herë kokainë nga viti 2015 e në vazhdim.
Grupi kriminal i udhëhequr nga Matoshi, është pjesë e kartelit të drogës të quajtur “Kompania Bello”, që ka lidhje direkte me importues të tjerë shqiptarë kokaine nga Amerika Jugore. Matoshi u ndalua në gjatë operacionit “Los Blancos” në vitin 2020 në Dubai.
Në njoftimin e SPAK thuhet se Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi konfiskimin e pasurive të Matoshit, konkretisht të një njësie me sipërfaqe 198.1 m2 dhe një garazhi 14.3 m2 në Tiranë; pjesa takuese e tij në një truall po në Tiranë; të drejtën e tij për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm për Shpronësim, si bashkëpronar në një pronë me vlerë paraprake të shpronësimit prej 8.1 milionë lekësh; 40 mijë euro të ndodhura në llogarinë e një noteri; si dhe një apartament – pasuri që do të kalojnë në favor të shtetit.
(Reporter.al)