Konfiskohen pasuritë e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj

Tiranë, 9 tetor 2023 – Prokuroria e Posaçme kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën më 9 tetor vendimin e gjykatës respektive për konfiskimin e pasurive të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj.
Më 22 dhjetor 2022, SPAK përfundoi hetimet në ngarkim të Zenelajt për deklarim të rremë të pasurive dhe dërgoi çështjen për gjykim. Po ashtu, bazuar në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, u dërgua për gjykim edhe kërkesa për konfiskimin e pasurive të Zenelajt.
Konkretisht, është kërkuar dhe pranuar nga gjykata me vendim të datës 6 tetor, konfiskimi i një ngastre toke me sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë – Vlorë; si dhe gjashtë pasuri të paluajtshme në Ishull-Shëngjin-Lezhë, konkretisht dy bodrume me sipërfaqe 16 m2 dhe 15 m2; njësi me sipërfaqe 218.06 m2, dhe tre apartamente me sipërfaqe 60.36 m2, 67.35 m2 dhe 51.35 m2.
Zenelaj u largua nga sistemi gjyqësor në korrik të vitit 2017, së bashku me anëtarët e tjerë Arjana Fullani, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako, të cilët njoftuan përfundimin e mandatit të tyre. Në vijim ata refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit. Po ashtu refuzuan pozicionet në Apel.
Bazuar mbi këtë refuzim, KPK vendosi se secili prej tyre kishte bërë dorëheqje dhe bazuar në ligjin për rivlerësimin ndërpreu procesin e vetingut dhe caktoi masën që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.
Në dhjetor të vitit 2021, SPAK kërkoi pushimin e një procedimi penal për “fshehje pasurie” ndaj pesë ish-gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe dy ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët u larguan nga sistemi i drejtësisë përmes vetingut ose dorëheqjeve. Prokurorja Doloreza Musabelliu kërkoi pushimin e procedimit penal për ish-kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe ish-gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Besnik Imeraj, Edmond Islamaj, Gani Dizdari dhe Tom Ndreca. Por shtatë muaj më vonë, Gjykata e Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK, duke urdhëruar kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.
Ndërkohë, SPAK ka dërguar më parë për gjykim për fshehje pasurie e deklarim të rremë ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja; ish-gjyqtarët Fatos Lulo dhe Shkëlzen Selimi si dhe ka sekuestruar pasuritë e Admir Thanzës, i cili u dënua me 9 muaj burg në maj të vitit 2019 për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, pasi gjatë procesit të vetingut u gjet se kishte fshehur një dënim për vjedhje në Itali.
(Reporter.al)