Uashington, 15 korrik 2022 – Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së ka miratuar një rezolutë lidhur me rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit.
Lajmi është publikuar edhe nga faqja Bytyqi Brithers, në Twitter.
News!
— Bytyqi Brothers (@BytyqiBrothers) July 14, 2022
The House just passed the Bytyqi Brothers Resolution, resolving that ‘progress in resolving case, or lack thereof, should remain a significant factor determining further development of relations b/w US & Serbia.’
Full text here: https://t.co/lZqQGNDpwC
TY @RepLeeZeldin! pic.twitter.com/OaRMG8eFQh
Në rezolutë kërkohet që autoritetet e Serbisë të nxjerrin sa më parë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.
“Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, duke përfshirë edhe Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundur të zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarë që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte”, thuhet në rezolutë.
“Progresi në zgjidhjen e këtij rasti apo anasjelltas, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”, thuhet më tutje në rezolutë.
Rezoluta kujton edhe premtimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se vrasësit e vëllezërve me shtetësi amerikane do të nxirren para drejtësisë.
Në rezolutë thuhet se autoritetet serbe, ndonëse e kanë hetuar rastin, nuk i kanë akuzuar asnjëherë personat që ishin pjesë e zinxhirit komandues të Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me këtë krim, duke përfshirë ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Vllajko Stojilkoviq, ndihmës ministrin dhe shefin e Departamentit të Sigurisë Publike, Vlastimir Gjordjeviq dhe komandantin e kampit të stërvitjes operacionale të policisë, Goran Radosavljeviq – Guri.
Tre vëllezërit Bytyqi ishin arrestuar në korrik të vitit 1999, pas mbarimit të luftës së në Kosovë, sepse e kishin kaluar gabimisht kufirin dhe kishin hyrë në territorin e Serbisë. Pas vuajtjes së dënimit për kundravajtje, ata ishin marrë nga një njësi e policisë speciale dhe ishin ekzekutuar nga afësia. Trupat e tyre janë gjetur në një varrezë masive, në poligonin e stërvitje të policisë speciale në Petrovo Selo.
(r.m.)