Kongresi Panshqiptar kërkon ndihmën e SHBA-së për sigurimin e vaksinave për Kosovën

Uashington, 14 prill 2021 – Kongresi Panshqiptar Amerikan është takuar sot virtualisht me pesë zyrtarë të Departamentit të Shtetit Amerikan, pas një kërkese që ia kanë bërë Sekretarit Amerikan, Anthony Blinken, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta ndihmojnë Kosovën për të siguruar vaksinat anti-COVID.

Si përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të pranishëm në takim ishin: David Kostelancik, Drejtor për Zyrën e Evropës Juglindore, Zyra e Çështjeve Evropiane, Michael Konstantino, Zëvendës Drejtor, Ilan A. Goodman, Zyrtar i Lartë për Zyrën e Kosovës, Wendy Rejan, Zyrtar për Zyrën e Kosovës dhe Malikat Rufai, Zyrtar për Zyrën e Maqedonisë Veriore dhe Zyrtar Mbështetës për Zyrën e Shqipërisë.

Përveç diskutimit mbi bashkëpunimin e mundshëm për të ndihmuar Kosovën në sigurimin e vaksinave, pjesëmarrësit diskutuan edhe çështje të ndryshme me të cilat po përballet Kosova dhe rajoni, përfshirë dialogun, Gjykatën Speciale, vëllezërit Bytyqi, zgjedhjet e ardhshme dhe reformën në Drejtësi në Shqipëri, regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë Veriore, pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe rritjen e paqëndrueshmërisë në Malin e Zi.

Kostelancik ka falënderuar KPA-në për angazhimin dhe ofroi bashkëpunim në çështje të ndryshme me të cilat po përballet Ballkani.

KPA është një organizatë jofitimprurëse e përkushtuar në promovimin e idealeve të përbashkëta të popullit shqiptar dhe amerikan.

(Illyria)