Ministri Hoxhaj ka falënderuar SHBA-të për ndihmën që kanë dhënë e po japin për Kosovën
Prishtinë, 27 maj 2013 – Kongresmenët amerikanë Robert Aderholf, Bob McEwen dhe Trent Walters e kanë vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe premtuan vazhdimin e përkrahjes amerikane për fuqizimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës. Ata e kanë bërë këtë të hënën, në Prishtinë, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Shefi i diplomacisë kosovare ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për përkrahjen që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin Shtetet e Bashkuara për konsolidimin dhe fuqizimin e shtetësisë së Kosovës.
Si njofton kabineti i ministrit Hixhaj, në takim është diskutuar edhe për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si edhe për mbështetjen e proceseve për anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe në organizatat ndërkombëtare.
Kongresistët Aderholf, McEwen dhe Walters kanë marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit, të mbajtur në Prishtinë, këtë fundjavë .