Kongresisti Nunn: Sekretari Blinken duhet t’i kundërvihet mobilizimit ushtarak të Serbisë

Uashington, 28 maj 2023 – Kongresmeni amerikan Zach Nunn ka reaguar ndaj deklaradës së Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.

Kongresisti republikan Nunn e sheh të papërshtatshme që Sekretari Blinken i dënoi veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në komunat veriore dhe nuk reagoi lidhur me kërcënimin e Serbisë me ushtri.

“SHBA: Qëndroni me Kosovën, demokracinë e re dhe aleatin e fortë të SHBA-së – që pranoi dhe mirëpriti të evakuuarit afganë (një nga miqtë e vetëm europianë). Sekretari Blinken duhet t’i kundërvihet mobilizimit ushtarak të Serbisë”, ka shkruar Nunn në Twitter.

Edhe kongresmeni demokrat Ritchie Torres e ka cilësuar “zhgënjyese” deklaratën e Sekretarit Blinken mbi zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.

“Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh që Sekretari Blinken e sulmon publikisht një aleat të SHBA-së”, ka thënë kongresisti Torres.

(r.m.)