Nju Jork, 18 prill 2022 – Kongresisti amerikan Ritchie Torres ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje urgjente.
Në një intervistë ekskluzive për Kanal10, Torres ka thënë se me veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe rrezikun me të cilin përballet Evropa është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në këtë organizatë.
“Si liderë të botës së lirë, SHBA-të duhet të mbështesin aleatët e tyre. Nuk kemi aleat më të madh në Evropën Juglindore se sa Kosovën dhe unë shqetësohem se pa anëtarësim në NATO. Kosova mund të jetë e ekspozuar ndaj sulmeve të Serbisë dhe Rusisë. E dimë që Serbia, vendi që paraqet kërcënim për Kosovën, është rreshtuar në anën e Rusisë, kurse Kosova në anën e SHBA-ve. Andaj, duhet të jetë pjesë e një ombrelle sigurie që e siguron NATO”, ka thënë Torres.
Ai ka thënë gjithashtu tha se Evropa ka obligim ta pranojë Kosovën në familjen e saj, dhe u ka bërë thirrje pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë.
“Evropa e ka një obligim, ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse Rusia tashmë është kërcënimi më i madh në sigurinë e Evropës dhe Evropa nuk duhet të lejojë që të intimidohet nga Rusia për të mos e njohur Kosovën si pjesë të familjes evropiane dhe të familjes perëndimore. Unë shpresoj shumë që pushtimi rus i Ukrainës ka qenë një thirrje zgjimi për Evropën dhe tani Evropa mund të jetë më e ndërgjegjshme ndaj sfidave me të cilat nuk janë përballur më parë. Dhe pushtimi rus i Ukrainës bëri që të ketë një Perëndim më të unifikuar, mes SHBA-ve dhe Evropës. Vladimir Putin nuk kalkuloi mirë dhe e nënvlerësoi unitetin e Perëndimit. Po shohim një unitet që nuk e kemi parë më herët dhe kjo mund të jetë një bazë e fuqishme e zgjerimit të NATO-s me vende si Kosova”, ka thënë Torres, për Kanal10
Ai ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij të parë do ta vizitojë shtetin e Kosovës.
Ritcjie Torres, pasardhës i mikut të madh të shqiptarëve Elliot Engel, është zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin amerikan. Prej fillimit të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, ai ka bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike. Përmes një letre drejtuar presidentit Joe Biden, ai ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të dyfishojnë përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
(Sipas Kanal10.live)