Kongresisti Torres: Dialogu është kthyer në armë të Serbisë kundër Kosovës

Uashington, 24 qershor 2023 – Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka deklaruar të shtunën se dialogu Kosovë-Serbi është kthyer më shumë në shpatë kundër Kosovës se sa në mburojë të Kosovës.

Torres, në një intervistë për Euronew Albania, ka deklaruar se SHBA-ja duhet të jetë më prokative dhe të ruajë aleancat e saj, përfshirë aleancën me Kosovën.

“Ne po jetojmë në një kohë kur ndikimi i Shteteve të Bashkuara mund të jetë në rënie dhe ne nuk mund t’i konsiderojmë aleatët tanë si të mirëqenë. Ne duhet të jemi proaktivë në ruajtjen e aleancave tona”, është shprehur kongresmeni amerikan.

“Kur shkoj në Kosovë, kam një ndjenjë të thellë mirëkuptimi dhe besnikërie ndaj Shteteve të Bashkuara. Me shaka kam thënë se në Kosovë ka më shumë dashuri për Shtetet e Bashkuara se sa në Shtetet e Bashkuara. Pse do ta hidhnim poshtë këtë mirëkuptim?”, ka theksuar Torres.

“Prioriteti më i lartë duhet të jetë sigurimi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe integrimi i Kosovës, së pari në Bashkimin Evropian e në NATO, e në fund të fundit në bashkësinë ndërkombëtare. Kjo duhet të mbetet politika e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.

Torres ka theksuar se Vladimir Putini është figura më popullore në Serbi dhe se politika e pajtimit me Serbinë nuk ka gjasa të rrisë ndikimin e SHBA-së apo BE-së në Serbi.

Kongresisti demokrat RitchieTorres është një ndër zërat më të fuqishëm të mbështetjes së Kosovës në SHBA.

(r.m.)