Kongresisti Zeldin kërkon informacion të detajuar për rastin e Berishës

Uashington, 8 qershor 2021 – Një ditë pasi e pyeti Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, mbi vendimin për të shpallur “non grata” ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, kongresmeni republikan Lee Zeldin, përmes një shkrese zyrtare, i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit informacione më të detajuara mbi këtë vendim.

“Sali Berisha historikisht ka pasur marrëdhënie të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë që shumë persona ta vënë në pikëpyetje këtë vendim të papritur. Duke ndjekur mundësinë për të diskutuar për këto sanksione me sekretarin Blinken, sot gjatë një seance dëgjimore në komisionin i punëve të jashtmne, kërkoj akses në gjithë informacionin e DASH, në bazë të të cilit u mor ky vendim kundër Berishës dhe familjes së tij. Gjithashtu, kërkoj një shpjegim të detajuar të procesit që ndoqi DASH për të përcaktuar këtë cështje”, thuhet ndër të tjera në letrën e kongresmenit Zeldin dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, raporton  Balkanweb.

Një ditë më parë, gjatë një seance on line të Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA, kongresmeni Zeldin kërkoi nga Sekretari Amerikan i Shtetit informacione specifike lidhur me vendimin ndaj Berishës,  të cilin ai e quajti të papritur.

Zeldin theksoi se ka bërë dhe vetë hulumtime, por nuk ka gjetur se Berisha është përfshirë në ndonjë aferë korruptive.

Sekretari  amerikan i Shtetit, Antony Blinken. e ftoi kongresistin Zeldin dhe çdo anëtar të Komitetit që është i interesuar që të shkonte në sektorin ligjor të Departamentit për të parë procesin që ka çuar në përfshirjen e Berishës dhe familjes së tij në listën e personave të padëshirueshëm në SHBA.

Ai tha se këto vendime zakonisht merren në kuadrin e shtimit të përpjekjeve të Departamentit të Shtetit për të kufizuar dhe penguar korrupsionin në botë si dhe ndikimin e tij në drejtat e njeriut.

Gazeta “Illyria” ka bërë përpjekje të sigurojë nga Departamenti Amerikan i Shtetit informacion më të plotë mbi shpalljen “non grata” të Berishës dhe familjes së tij, por këto përpjekje nuk kanë dhënë fryt.

Whatsapp Image 2021 06 08 At 10.26.53 Am

(r.m.)