Kongresmeni Torres: I zhgënjyer që Sekretari Blinken e sulmon publikisht Kosovën

Uashington, 28 maj 2023 – Kongresmeni amerikan Ritchie Torres ka reaguar lidhur me reagimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, mbi zhvillimet e ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.

Z. Torres e ka cilësuar zhgënjyese për të dhe për votuesit e tij deklaratën e sekretarit Blinken në të cilën ai e dënoi Qeverinë e Kosovës për masat që ndërmori për hyrjen e kryetarëve të rinj të komunave në zyrat e tyre. Ai thekson se Kosova është aleat i palëkundur i SHBA-së.

“Kosova është aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-ve u duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që e pranuan këtë rast.

Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh që Sekretari Blinken e sulmon publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar Torres në Twitter.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka dënuar masat e Qeverisë së Kosovës për krijimin e kushteteve për punë normale të kryetarëve të rinj të katër komunave veriore të Kosovës dhe kabineteve të tyre. Ai ka thënë se këto masa ngrisin tensionet dhe shtojnë jostabilitetin në pjesën veriore të Kosovës.

 “Ne i dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që i përshkallëzojnë tensionet dhe shtojnë jostabilitetin në veri. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndërpresë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhej në deklaratën e sekretarit Blinken.

(r.m.)