Prishtinë, 24 mars 2023 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka falënderuar NATO-n për sulmet ajrore ndaj objektivave të ushtrisë e policisë së Serbisë, të cilat filluan sot 24 vjet më parë.
Në një deklaratë për publikun, Konjufca ka thënë se ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike në krye me SHBA-në i ka dhënë fund spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë.
Konjufca ka theksuar se institucionet shtetërore dhe populli i Kosovës janë të vendosur të mbrojnë me çdo kusht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues në çdo pjesë të shtetit. Ai ka theksuar gjithashtu se populli i Kosovës do t’u jetë përjetë mirënjohës NATO-s për gjithë çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për lirinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës.
‘Jemi të vendosur që, me mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë të përhershëm, të avancojmë në proceset integruese dhe ta mbrojmë me çdo kusht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues në çdo pjesë të shtetit tonë.
Populli ynë do t’u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të Aleancës së NATO-s dhe misionit ushtarak KFOR për gjithë çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për lirinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.
Deklarata e plotë:
Sot mbushen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë agresore.
Nën komandën e Gjeneralit Ëesley Clark, fushata bombarduese 78 ditore e Aleancës Veriatlantike në krye me SHBA-në i dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë.
E nga qielli i përflakur shkëlqeu liria. 24 vjet më pas, Republika e Kosovës, e ndërtuar mbi themelet e luftës çlirimtare të UÇK-së, martirizimit të popullit tonë dhe ndihmës ushtarake të NATO-s, është shtet demokratik, sovran dhe i pavarur. Shembulli më i mirë në Ballkan, Evropë e më gjerë për jetën e lirë të qytetarëve të barabartë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve pakicë.
Po ashtu, gjatë këtyre viteve të pasluftës, Republika e Kosovës ka shënuar përparime të dukshme në të gjitha fushat dhe përbën sot një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajon.
Jemi të vendosur që, me mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë të përhershëm, të avancojmë në proceset integruese dhe ta mbrojmë me çdo kusht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues në çdo pjesë të shtetit tonë.
Populli ynë do t’u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të Aleancës së NATO-s dhe misionit ushtarak KFOR për gjithë çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për lirinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.
Faleminderit NATO!
Thank You NATO!
(r.m.)