Konjufca fton shqiptarët në SHBA që të investojnë në Kosovë

Uashington, 31 mars 2023 – Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar në Uashington – aktivistë, biznesmenë e profesionistë të fushave të ndryshme.

Konjufca ka folur për situatën aktuale, për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe për gjendjen ekonomike në Kosovë. Ai është përqendruar sidomos në premisat e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve.

Kryetari i Kuvendit e ka vlerësuar lart mbështetjen e komunitetit shqiptar në Amerikë për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe ka theksuar se institucionet shtetërore të Kosovës janë të hapura për pikëpamjet dhe sugjerimet e tij për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën.

Konjufca ka shprehur interesin për investime të komunitetit shqiptar të Amerikës në Kosovë, duke theksuar se investitorët i kanë të hapura dyert më shumë se kurdoherë më parë.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për proceset aktuale në Kosovë dhe për sfidat e ardhshme, si edhe për forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe SHBA-së në të gjitha fushat. Ai ka thënë se komuniteti shqiptar është faktor i fortë bashkëpunimi midis dy vendeve.

Pjesëtarët e komunitetit shqiptar kanë shprehur gatishmërinë dhe interesimin për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në takim, i cili është realizuar në Ambasadën e Kosovës në Uashington, ka marrë pjesë edhe miku i madh i Kosovës, ambasadori William Walker, i cili ka theksuar nevojën për reforma sistemore që krijojnë bazë për zhvillim e modernizim të shtetit e të shoqërisë kosovare.

(r.m.)