Prishtinë, 20 prill 2023 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur skeptik se Kosova do të pranojë ndonjë version të Asociacionit të komunave me shumicë serbe deri më 2 maj kur pritet një takim i nivelit të lartë në Bruksel.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që deri më këtë datë Qeveria e Kosovës të ketë një propozim për Asociacionin.
I pyetur nga gazetarët për këtë deklaratë, Konjufca tha se nuk përjashtohet mundësia që edhe propozimi i ri që do të bëjë grupi menaxhues, të mos pranohet nga Kosova.
“Nuk e përjashtoj se as ky tjetri [versioni i ri i Asociacionit] nuk do të funksionoj duke parë përbërjen e këtij ekip të menaxhimit, ku është i përberë edhe nga deputetët të Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën”, deklaroi Konjufca.
Ai tha me tej se nëse propozimi është në interes të Serbisë, atëherë ekipi menaxhues sipas tij duhet të shkarkohet.
Më tej Konjufca tha se pret që të sqarohet situata në takimin e 2 majit ku pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kosova duhet të tregojë se nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë e që është njoha de fakto [nga Serbia]”, tha Konjufca.
Në prag të takimit të 2 majit në mes të Kurtit dhe Vuçiq, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha për ‘Zërin e Amerikës’ se që nga takimi 18 marsit që u zhvillua në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka pasur përparim lidhur me Asociacionin dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit Albin Kurti, për të pranuar këtë detyrim ligjor.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013 dhe më pas për parimet e tij më 2015.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi që shumica e parime të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.
Megjithatë, Qeveria aktuale në Kosovë ka refuzuar formimin e asociacioneve njëetnike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.
(REL)