Konjufca: Ne nuk e pranojmë bosnjëzimin e Kosovës

Prishtinë, 15 shtator 2023 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova nuk mund t’i pranojë marrëveshjet me Serbinë që mund të cenojnë sovranitetin, funksionalitetin dhe karakterin unitar të shtetit.

Konjufca, në një deklaratë për medie, ka theksuar se Kosova nuk do të lëviz nga ky pozicion, duke shtuar se heqja dorë nga ky qëndrim mund të shpie në “bosnjëzimin” i Kosovës.

“Jo të gjitha marrëveshjet mund t’i pranojmë. Ne i analizojmë. Kryeministri e ka ekipin e vet dhe vetë ai është atje për këtë punë, që t’i analizojë nëse ato janë në interes të Kosovës apo jo. Ne nuk do të lodhemi kurrë që edhe më tutje të argumentojmë para bashkësisë ndërkombëtare që ky është një pozicion prej të cilit Kosova nuk mund të heqë dorë. Po të hiqet dorë, mund të shkojmë në bosnjëzimin e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ai ka kujtuar se Lëvizja Vetëvendosje e ka fituar besimin e shumicës në Kosovë pikërisht sepse në programin e saj është parandalimi i bosnjëzimit të Kosovës.

“Unë mendoj se njëra prej arsyeve kryesore, qendrore, që Lëvizja Vetëvendosje ka fituar para dy vjetësh, është ndalimi i procesit të bosnjëzimit të Kosovës”, ka theksuar Konjufca.

Kryeparlamentari Konjufca e ka cilësuar të pabalancuar qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“Mua më duket e pabalancuar, sepse të gjitha kërkesat që i shtrohen Kosovës korrespondojnë me ato që na i kërkon vetë Serbia, si: dorëheqja e kryetarëve të komunave pa kurrfarë procedure, zhvleftësimi i procesit demokratik edhe i ligjshmërisë së institucioneve tona, etj. Të gjitha këto janë kërkesa të Serbisë dhe, fatkeqësisht, Bashkimi Evropian po i kërkon po këto”, është shprehur ai.

Konjufca ka thënë se çështja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës do të zgjidhet në pajtim me legjislacionin në fuqi.

(r.m.)