Prishtinë, 1 korrik 2024 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur shqetësimin për tendencat destabilizuese të Kosovës nga shteti serb. Ai ka thënë se këto shqetësime ia ka shprehur homologes së tij sllovene, Urska Klakocar Zupançiq, e cila gjendet në vizitë zyrtare në Kosovë.
“[Zonjës Zupançiq] ia shpreha shqetësimin tonë për tendencat destabilizuese në Kosovë nga shteti serb. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u dënuar kryerësit e këtij krimi (sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit).
Konjufca ka thënë se derisa udhëheqësi i sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radojçiq, është i lirë në Serbi, një grup tjetër i armatosur po përgatitet në Serbi për ndonjë sulm tjetër ndaj Kosovës.
“Derisa ne ndodhemi këtu, një grup tjetër po e bën të njëjtën gjë në Serbi – po ushtrohet, po përgatitet për një sulm tjetër”, ka thënë ai, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
Kryeparlamentari i Kosovës e ka cilësuar shokuese deklaratën e Bashkimit Evropian se është në pritje të raportit të Kosovës për sulmin në Banjskë. Madje, e ka akuzuar Bashkimin Evropian se në procesin e dialogut po e favorizon Serbinë.
“Është padiskutueshëm favorizimi i Serbisë në këtë proces i si edhe vendosja e Kosovës në një pozicion të pafavorshëm. Po them kështu sepse edhe veprimet më të vogla që i ka marrë Kosova janë dënuar prej BE-së më ashpër se kurrë ndonjëherë, më shumë se sa që është dënuar sulmi në Banjskë. Edhe reagimi i fundit për ne ishte shokues, kur u tha se Kosova ende nuk ia ka dërguar asnjë raport për sulmin e Banjskës. Kjo ka qenë një justifikim për Serbinë dhe relativizim i përgjegjësisë që e ka ajo për destabilizim të rajonit”, ka thënë ai.
(r.m.)