Uashington, 8 dhjetor 2023 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha të premten se kërkesa perëndimore për ngritjen e asociacionit nuk do të plotësohet, nëse nuk bën trysni bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për hapat drejt njohjes së Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Konjufca tha se nëse presioni vazhdon vetëm mbi Kosovën dhe Perëndimi nuk e bind dot Serbinë të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit, ai nuk beson se këto përpjekje do të prodhojnë rezultate së paku në periudhën afat-mesme të proceseve politike në Kosovë.
Konjufca tha gjithashtu se nuk i takonte Bashkimit Evropian të paraqiste projekt-statutin për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Intervista e plotë:
Zëri i Amerikës: Megjithëse projekt-statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk u bë për një kohë të gjatë i njohur për publikun, ju keni kohë që e dini përmbajtjen e tij. Cili është vlerësimi juaj për këtë projekt-statut?
Glauk Konjufca: Është e vërtetë që Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte në statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes. Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, të paktën për sa i takon qeverisë dhe institucioneve jemi përtej kësaj faze sepse ata kanë bërë thirrje pikërisht për ngritjen e asociacionit dhe nga ana e Serbisë plotësimin e detyrimeve për njohjen de facto (të Kosovës). Pra, tani jemi në pikën nëse dhe si do të zbatohen këto detyrime përtej këtyre kritikave që ju thatë se Bashkimit Evropian nuk i takonte ta bënte këtë propozim …
Glauk Konjufca: Unë mendoj se qasja që të dy shtetet duhet në mënyrë të pavarur dhe krejtësisht të shkëputur nga ndërlidhja e pikave të marrëveshjes së Ohrit, secila duhet të zbatojë pjesën e vetë, nuk është një plan që do të mund të ecë përpara. Ka shumë probleme, kryesisht se kush do të jetë i pari që do të bëjë hapin dhe në cilin drejtim. Ju duhet ta kuptoni që gjashtë pikat e para të marrëveshjes së Ohrit janë ndërtuar pikërisht për Kosovën. Dhe unë mendoj që kur ndërtohet një marrëveshje ndërkombëtare pikat e renditjes nuk janë të rastësishme. Do me thënë pjesa bazike, pjesa e parë e marrëveshjes janë pikat në favor të sovranitetit të Kosovës, për konsolidimin e mëtejshëm të sovranitetit të Kosovës. Pika që është vendosur në favor të Serbisë është pika e shtatë e marrëveshjes së Ohrit. Dhe aty thuhet Kosova e ka për obligim gjetjen e një forme të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Kjo nuk mund të bëhet nëse nuk vendoset në një pako të përgjithshme, që është marrëveshja e Ohrit, e cila nuk është nënshkruar nga Serbia. Bashkësia Ndërkombëtare po thotë që nuk ka lidhje që nuk është nënshkruar, por qeveria e Kosovës mendon që është thelbësore që kjo marrëveshje të nënshkruhet nga palët, ose nëse nuk nënshkruhet ajo është një letër pa vlerë.
Zëri i Amerikës: Kjo në fakt varet nga ata që dëgjojnë, sepse ka patur disa komente lidhur me këtë. Por, në qoftë se nuk jam gabim, ju po thoni që nuk është ndoshta akoma momenti, ose Kosova nuk është e gatshme të fillojë zbatimin e kësaj pjese me këto rezerva që ju po shprehni, që tek fakti i pikave të marrëveshjes për projekt-statutin?
Glauk Konjufca: Nëse koncepti i vetëmenaxhimit nuk ndërtohet në një marrëveshje siç ishte ajo e Ohrit, që të jetë me njohjen e Kosovës, atëherë Kosova nuk ka kurrfarë obligimi që të bëjë hapa në drejtim të asociacionit. Në asnjë mënyrë. Pse? Sepse mendoj që nëse e hiqni njohjen nga ekuacioni i relacionit me Serbinë dhe nëse mbetet vetëm asociacioni, ky do të jetë një mekanizëm shumë i manipulueshëm dhe dhumë i shfrytëzueshëm në mënyrë negative nga ana e Serbisë për ta goditur Kosovën. Ne e dimë që ky asociacion do të përbëhej prej përfaqësuesve serbë, të cilët do të mund t’i kontrollonte ndonjë parti politike drejtpërdrejt nga ana e Vuçiçit dhe ata do ta ndërtonin asamblenë e këtij asociacioni.
Zëri i Amerikës: Por perëndimi në fakt po i kërkon të dyja, jo vetëm asociacionin…
Glauk Konjufca: Nuk mendoj se perëndimi është serioz nga kuptimi qysh ia kërkon njohjen Serbisë për Kosovën. Deri tani, nuk më duket që Serbia ka ndjerë ndonjë presion serioz sa i përket njohjes së Kosovë. Unë mendoj se më shumë presion është bërë mbi Kosovën për asociacionin se sa mbi Serbinë për njohjen e Kosovës, nëse i krahasoni se për cilën çështje është bërë më shumë trysni. Kështu që unë mendoj se kjo është një qasje krejtësisht e gabueshme. Kjo qasje nuk do të japë rezultate fare. Kjo qasje përkundrazi e bën Serbinë që të ndihet komode dhe Kosovën bile e rrezikon si qasje sepse ne mund ta përjetojmë edhe sulmin e ardhshëm nga Serbia, ashtu si më 24 shtator. Por, nëse ndryshon qasja ndërkombëtare, nëse Serbisë i bëhet me dije që bashkësia ndërkombëtare e kupton me saktësi se çfarë ka ndodhur me 24 shtator dhe e kupton saktë se cila është pjesa e përgjegjësisë së Serbisë lidhur me këtë akt agresioni dhe në vend të sanksioneve që po i bëhen Kosovës do t’i bëheshin Serbisë, atëherë unë mendoj që kemi shpresë se ndoshta Serbia mund të ndryshojë një ditë. Por, nëse e gjitha çfarë shohim është trysnia vetëm ndaj Kosovës, nëse Kosova është ajo që po i vuan sanksionet dhe Serbia nuk ka kurrfarë trysnie dhe kurrfarë pasoje në marrëdhënie as me Shtetet e Bashkuara e as me Bashkimin Evropian unë mendoj që jo vetëm se Serbia nuk do të ndryshojë, por mendoj që do t’i rriten edhe më shumë ambiciet që ta cenojë Kosovën me ndonjë sulm të njejtë, të agresionit siç ishte ai i 24 shtatorit.
Zëri i Amerikës: Bashkimi Evropian dhe perëndimi në përgjithësi duke e patur parasysh edhe situatën e krijuar gjeo-politike dhe faktin që vitin që vjen ka edhe zgjedhje si në Bashkimin Evropian si në Shtetet e Bashkuara dhe vëmendja mund të shpërqëndrohet, kanë kërkuar një zgjidhje të shpejtë dhe hapa sa më të shpejta drejtë normalizimit. Mendoni se kjo është kërkesë realiste në këto kushte që edhe ju përshkruat?
Glauk Konjufca: Ne mendojmë së pari si Republikë e Kosovës, si institucione të shtetit që zgjidhja më e mirë është në kuadër të njohjes – që të gjitha aranzhimet që mund të konceptohen nga Bashkësia Ndërkombëtare si obligime që ne i kemi si Kosovë nga e kaluara, por flas për marrëveshjet e mëhershme – këto do të vendosen në një pako më të madhe të zgjidhjes dhe kjo ishte përpjekje, unë besoj edhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, përpjekja për ndërtimin edhe të marrëveshjes së Ohrit. Mirëpo, për Marrëveshjen e Ohrit, Presidenti i Serbisë e ka dhënë qëndrimin e vet që nuk vjen në shprehje nënshkrimi i saj. Shtrohet pyetja pse nuk e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit Presidenti i Serbisë? Sepse aty është njohja de-facto e pavarësisë së Kosovës. Çfarë prodhon njohja de-facto? Do ta kuptoni që njohja de-facto prodhon konturat e njohjes de-jure, dalëngadalë për Kosovën. Në këtë marrëveshje nuk dëshiron që të hyjë Presidenti i Serbisë. Atëherë Bashkësia Ndërkombëtare nuk ka mekanizma që ta shtyjë Presidentin e Serbisë që të hyjë në kuadër të pakos së Marrëveshjes së Ohrit atëherë aq më pak ne pranojmë që të hyjmë në një marrëveshje për Asociacionin e cila është shkëputur prej procesit të përgjithshëm politik, prej pakos së përgjithshme e cila neve do të na sillte konsolidimin e sovranitetit karshi Serbisë, kjo është shumë ekzistenciale për Kosovën dhe pastaj ne do të ulemi dhe do të shohim me Bashkësinë Ndërkombëtare se si t’ia gjejmë një modus kësaj që Kosova e ka pranuar faktikisht që është një formë e menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Por, ju nëse doni ta shtyni Kosovën që pavarësisht gjithë kësaj vetëm të ulet Kosova dhe ta zbatojë Asociacionin, kjo nuk mendoj që është rruga kjo nuk mund të mendoj se do të prodhojë rezultate së paku le të themi në këtë periudhën afat-mesme të proceseve politike në Kosovë.
(Keida Kostreci, Zëri i Amerikës)