Konjufca: Nuk pres të arrihet shpejt një marrëveshje për Asociacionin

Prishtinë, 3 maj 2023 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi të mërkurën se ai nuk pret të arrihet shpejtë marrëveshje me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Konjufca tha se propozimi i Kurtit për “vetëmenaxhimin e serbëve” është brenda kornizë kushtetuese të Kosovës, por kjo nuk i pëlqen Serbisë.

“Jam i bindur që (propozimi i Kurtit) është në përputhje me Kushtetutën tonë. Kjo nuk është diçka që është e pranueshme për Serbinë, prandaj konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve. Andaj nuk pres fare të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot”, ka deklaruar Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se Seria duhet të heqë  dorë nga politikat që i ka trashëguar nga Millosheviqi.

“Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizimit fashist që Serbia e trashëgon prej kohës së Millosheviqit, prej viteve të ’90-ta. Ajo e konsideron Kosovën pjesë të saj. Ka kryer gjenocid dhe nuk ka pendesë për krimet e kryera. Nuk distancohet prej asaj çfarë ka bërë në Kosovë, prej shkeljes masive të të drejtave të njeriut, prej krimeve të luftës dhe, në fund, prej gjenocidit që e ka ushtruar në Kosovë”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se Kosova nuk do të bëjë kompromis në dëm të kushtetutshmërisë dhe ka theksuar se Kushtetua e Kosovës e lejon krijimin e një asociacioni pa kompetenca ekzekutive.

(r.m.)