Konsullata amerikane në Irbil të Irakut sulmohet me raketa të shkrepura në Iran

Irbil (Irak), 13 mars 2022 – Ndërtesa e re e konsullatës amerikane në qytetin irakian Irbil dhe një zonë në afërsi është goditur nga disa raketa.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe objektet e Qeverisë amerikane në Irbil nuk kanë pësuar dëme.

Ndërkaq, Ministria e Brendshme kurde ka njoftuar për një civil të plagosur dhe për dëme materiale në ndërtesën e një televizioni kurd që ndodhet në zonë.

Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes është cituar të ketë thënë se raketat janë nisur nga një qytet i Iranit. Ndërkaq, një korrespodent i televizionit shtetëror iranian me bazë në Irak ka thënë se raketat kanë pasur objektiv “bazat sekrete izraelite”.

Ky sulm ndodhi disa ditë pas një sulmi izraelit afër Damaskut të Sirisë, ku kanë mbetur të vdekur dy anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit. Teherani e ka dënuar ashpër sulmin dhe është zotuar se do të hakmerret.

Në të kaluarën, forcat amerikane të stacionuara në kompleksin e aeroportit ndërkombëtar të Irbilit janë goditur me raketa dhe me drone. Zyrtarët amerikanë e drejtojnë gishtin te grupet e lidhura me Iranin.

(r.m.)