Korça nën Flamurin Kuq e Zi

Anesti Treska, pjesëtar i Korit Lira

112 vjetori i shpalljes së Pavarësisë u festua në mbrëmjen e 28 nëntorit tek Pazari i Vjetër ku jehuan këngët patriotike dhe ato të luftës në koncertin  “Zjarr dhe flakë”. Spektatorët që ndoqën shfaqjen kishin ardhur nga treva të ndryshme të Shqipërisë.

Festa e Çlirimit nga pushtuesit e huaj u festua në  29 nëntor me disa aktivitete të organizuara nga Qendra e Artit dhe Kulturës e Korçës. Në mengjes Banda e qytetit parakaloi me muzikë marshi në pedonale dhe u ndal tek monumenti i Luftëtarit Kombëtar, ku së pari u ekzekutua hymni kombëtar dhe u vendosën kurora me lule nga përfaqësuesit e pushtetit lokal, institucioneve kryesore dhe organizata e Veteranëve.

Mbledhja jubilare dhe koncerti festiv u dhanë në teatrin A Z.Çajupi. Kori Lira, Nder i Kombit, drejtuar nga dirigjenti Pandi Bello çeli programin artistik.

Nga fjalët përshëndetese të folësve u përcoll idea se kujtimi i këtyre ngjarjeve dhe datave historike është shenjë nderimi dhe mirënjohje ndaj një brezi dhe një epoke, për të rënët në luftën çlirimtare, por edhe një moment reflektimi dhe projeksioni për të kuptuar të sotmen, udhën e të nesërmes dhe vizionin ku ne si komb duam të shkojmë.  “Idealistët e mëdhenj të popullit dhe epoka e antifashizmit e rreshtuan popullin tonë në anën e fitimtarëve që donin lirinë,” thanë folësit. Pas përshëndetjeve,  programi artistik u hap me këngën Nën Skënderbeun nga Kori Lira, ku jam korist edhe unë. Formacioni muzikor ka dhënë koncertin e parë bashkë me Bandën Vatra në vitin 1922, që njihet si data e themelimit të grupit.

Emocionet e përcjella nga kënga dhe interpretimi i shkëlqyer i korit Lira u duartrokitën fuqishëm.

Dikush nga salla recitoi dy vargjet të kengës në mënyrë spontane që bëri të ndizej flakë salla.

“Se Skënderbeu për Shqipërinë Jepte dhe jetën, shpirtin e tij”…

Programi vazhdoi me hymnin e bandës së lirisë”, “Prej qiellit të ndriçuar”, “Shqipëri mëma Shqipëri””, etj. Me kërkesë nga salla Kori këndoi “Çlirimi i Korçës” ku formacioni muzikor shoqërohej edhe nga salla. Në vazhdim, Ansambli Skënderbeu interpretoi recitime dhe këngë të tjera patriotike.

Në orën 11 e 30 u bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të klerit dhe institucioneve, familjeve dhe të afërmve të dëhmorëve.

Festat e 28 dhe 29 Nëntorit përcollën idenë se ato janë data të shenjta “ditë lavdie e krenarie për një popull antifashist që lirinë e fitoi dhe e pagoi me luftë dhe sakrifica të mëdha.”