Tokyo, 13 prill 2023 – Të enjten, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale, duke shkaktuar alarm dhe paralajmërime për evakuim në ishullin kryesor që ndodhet në skajin më verior të Japonisë, thanë zyrtarë të Shteteve të Bashkuara.
Sipas mediave në Japoni, banorët në ishullin e Hokkaidos u lajmëruan të strehoheshin menjëherë në bodrumet e tyre; ndërkohë, disa linja të transportit publik u mbyllën përkohësisht.
Megjithatë, rreth 20 minuta pas alarmit, zyrtarët japonezë e tërhoqën paralajmërimin. Ministri i Mbrojtjes së Japonisë, Yasukazu Hamada deklaroi se raketa kishte rënë jashtë territorit të Japonisë.
Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë e dënoi ashpër këtë provë, ku sipas njoftimit, ishte përfshirë një raketë me rreze të gjatë veprimi.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Koresë së Jugut tha se raketa ishte me rreze të mesme ose të gjatë veprimi dhe se ishte lëshuar me një kënd të lartë fluturimi, nga një zonë në Phenian .
Sipas njoftimit, raketa përshkoi 1000 kilometra para se të binte në detin mes Koresë dhe Japonisë.
Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut i tha më vonë Zërit të Amerikës se për këtë raketë ka të ngjarë të jetë përdorur karburant i ngurtë dhe se ajo duhet të jetë një lloj i ri rakete, e palëshuar më parë nga Koreja e Veriut.
Koreja e Veriut synon prej kohësh të zhvillojë një raketë balistike ndërkontinentale me karburant të ngurtë, e cila mund të lëshohet shumë më shpejt se raketat me karburant të lëngshëm.
(Zëri i Amerikës)