Koreja e Veriut lëshon një raketë balistike të dizajnuar për të kërcënuar SHBA-në

Phenian, 31 tetor 2024 –  Koreja e Veriut e ka lëshuar një raketë të re balistike ndërkontinentale të enjten, duke e kryer testimin e parë pas gati një viti të një arme të dizajnuar për t’i kërcënuar Shtetet e Bashkuara.

Testimi ndodhi vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, urdhëroi testimin e raketës dhe ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes.

Ai e quajti testimin “veprim i duhur ushtarak” për ta dëshmuar vendosmërinë e Koresë së Veriut për t’iu përgjigjur lëvizjeve të armiqve që e kanë kërcënuar sigurinë e Veriut, tha Ministria Mbrojtjes e këtij vendi në një komunikatë.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia e identifikuan raketën si ICBM dhe e dënuan lëshimin e saj, duke thënë se rrit tensionet.

Koreja e Veriut e konfirmoi testimin e raketës pak orë pasi fqinjët e saj e vërejtën lëshimin e saj, duke thënë se besojnë se ajo është një raketë e re, më e shpejtë, që synim ka SHBA-në.

“Ritheksoj se DPRK-ja nuk do ta ndryshojë kurrë qëndrimin e saj për përforcimin e forcave bërthamore”, tha Kim, duke iu referuar Koresë së Veriut me emër zyrtar.

Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) thanë se Koreja e Veriut mund ta ketë testuar një raketë të re balistike me rreze të gjatë, të furnizuar me lëndë të ngurtë djegëse. Raketat me karburant të ngurtë janë më të lehta për t’u lëvizur dhe për t’u fshehur dhe mund të lëshohen më shpejt se ato me karburant të lëngët.

Zëdhënësi i JCS, Lee Sung Joon, tha se lëshimi mund të jetë bërë për t’i dhënë Koresë së Veriut një pozicion më të fortë në negociatat e ardhshme dhe se është planifikuar në kohë për zgjedhjet amerikane.

Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Gen Nakatani, u tha gazetarëve se kohëzgjatja e fluturimit të raketës prej 86 minutash dhe lartësia maksimale prej më shumë se 7.000 kilometrash i tejkaluan të dhënat e testeve të mëparshme të raketave të Koresë së Veriut.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Sean Savett, e cilësoi lëshimin e raketës si “shkelje flagrante” të shumë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe tha se ajo “rrit tensionet pa nevojë dhe rrezikon destabilizimin e sigurisë në rajon”.

Savett tha se SHBA-ja do t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e territorit amerikan dhe të aleatëve të saj, Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Koreja e Jugut dhe Japonia e dënuan veprimin e Koresë së Veriut, duke e cilësuar si një kërcënim për paqen ndërkombëtare dhe thanë se po koordinohen ngushtë me SHBA-në mbi testin më të fundit të armëve të Koresë së Veriut.

Lee njoftoi se Koreja e Jugut dhe SHBA-ja planifikojnë stërvitje të “mjaftueshme” ushtarake dypalëshe, si dhe trepalëshe me Japoninë, si përgjigje ndaj kërcënimeve nga Koreja e Veriut.

(Radio Evropa e Lirë)