Kori “Siparantum” nga Peja i fitoi dy çmime në garën e koreve “Sing for gold” në Barcelonë

Barcelonë, 27 tetor 2024 – Kori “Siparantum” nga Peja i ka fituar dy çmime në garën botërore të koreve “Sing for gold” në Barcelonë.

Ky kor, i cili e ka bërë Kosovën emër të përveçëm në botën e muzikës korale, do të kthehet nga Spanja me Medaljen e Artë dhe me Çmimin Special për programin kontemporan dhe për interpretim skenik.

“Siparantum”, nën udhëheqjen e dirigjentit Memli Kelmendi, u paraqit para jurisë profesionale dhe para publikut në Barcelonë me veprat: “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozitorit Kosovar Baki Jashari, “Te na Solbici” të kompozitorit Samo Vovk, “Amor, io fallo”  të kompozitorit Jan Van der Roost dhe “Nyon Nyon” të kompozitorit Jake Runestad.

Nw garën “Sing for gold” në Barcelonë “Siparanhtum” ishte në konkurrencë me tetë kore të tjera nga vende të ndryshme të botës.

Kori “Siparantum” ka marrë pjesë dhe është shpërblyer në garat dhe festivalet më të rëndësishme t՞ koreve në botë. Vitin e kaluar, në garën e koreve në Korenë e Jugut. ai u shpall kori më i mirë në botë.

(r.m.)