Kos: Nuk do t’i ndjekim tendencat për shkëmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë

Bruksel, 7 nëntor 2024 – Kandidatja për komisionare të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, sllovenia Marta Kos, në seancën dëgjimore në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Evropian, ka thënë se është kundër tendencave për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

E pyetur se çfarë pret nga roli i administratës Trump në rajon dhe për idetë e shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë, nëse kthehen ato ide, Kos ka thënë se ajo nuk do të ndjek ide të tilla.

“Çka do të ndodhë pas janarit kur të nis mandatin presidenti i ri amerikan mbetet të shohim. Sa i përket ideve që përmenden, ne duhet të bazohemi në atë se çka mund të bëjë dhe duhet të bëjë Evropa e jo çfarë do të thonë tjerët. Sa i përket shkëmbimit të territorit jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ka theksuar ajo.

Zonja Kos ka thënë se BE-ja duhet të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve të arriutura deri tani në kuadër të dialogut.

“Duhet të lëvizim përpara. Është arritur shumë formalisht deri me tani në dialog. Kemi marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Presim që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me implementim”, ka thënë ajo.

Zonja Kos ka thënë se në procesin e dialogut duhet kërkuar një rrugë të re, nëse shihet se rruga e deritashme nuk jep rezultate.

“Nëse gjërat nuk ecin, duhet të gjejmë një rrugë të re. Në kuptimin e thënies së Ajnshtajnit se çmenduria është të vazhdosh të bësh të njëjtën gjë çdo ditë duke pritur rezultat tjetër – Dua të shoh rezultate të ndryshme. Jam e sigurt se ka rrugë kur ka vullnet”, ka thënë ajo.

Zonja Kos ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në duart e përfaqësueses së lartë pplitikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, por ka shtuar se ajo do të jetë e gatshme të ndihmojë për të lëvizur përpara, duke pasur parasysh përvojën e saj dhe njohjen e rajonit.

Ajo është zotuar që të mbajë procesin e zgjerimit si një proces të bazuar në parimin e meritave individuale dhe ka thënë se ekziston mundësia që Mali i Zi t’i përmbyllë negociatat deri në fund të vitit 2026, ndërsa Shqipëria deri në vitin 2027.

Marta Kos ka thënë se, nëse konfirmohet komisionare për zgjerim, ajo do të insistojë në respektimin e lirive të mediave dhe në forcimin e rolit të shoqërisë civile. Ajoi ka theksuar se vendet që nuk e respektojnë lirinë e shtypit nuk kanë vend në BE.   

Zonja Kos është ndër 26 kandidatët për komisionarë të propozuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e mori edhe një mandat pesëvjeçar në këtë detyrë.

(r.m.)

Comment

*