Kosova blen nga Turqia dronë “Bayraktar”

Prishtinë, 16 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të dielën se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.

Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, dhe disa oficerë të FSK-së një hangar ku është vendosur një dron i blerë në Turqi.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti nuk ka bërë të ditur sa dronë janë blerë deri më tani.

Blerja e dronëve “Bayraktar” nga Kosova është diskutuar që nga fundi i vitit të kaluar. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një  vizite në Turqi, e pati vizituar fabrikën e këtyre donëve, ku qe njohur me llojet e tiparet e tyre, si edhe me karakteristikat teknike.  Atëherë ajo pati paralajmëruar se Kosova do të pajiset me donë të tillë, të cilt do të përdoren për qëllime mbrojtëse.

Serbia e pati paralajmëruar Turqinë se shitja e dronëve “Bayraktar” Kosovës do të ndikonte në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Droni “Bayraktar TB2” bën pjesë në kategorinë e dronëve më të mëdhenj. Ky dron është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets të SHBA-së.

“Bayraktar TB2” mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe mund të fluturojë deri në 150 kilometra larg bazës së tij. Kjo fluturake mund të pajisjet me katër raketa të vogla “të mençura”, të cilat janë mjaft të sakta për të goditur objektiva nga një distancë disa kilometra.

Dronët “Bayraktar TB-2” përdoren për qëllime të ndryshme civile dhe ushtarake. Këta drone mund të përdoren për vëzhgime dhe për sulme me bomba në terrene ku nuk mund të depërtojnë forcat tokësore. Këta dronë janë përdorur nga forcat ukrainase kundër forcave ruse në territoret e pushtuara nga Rusia.

FSK-ja është në proces të transforimit të saj në ushtri. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për transformim në vitin 2018.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si edhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.

Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë.

May be an image of 1 person and aircraft

May be an image of 9 people and text

May be an image of 4 people and helicopter

(r.m.)