Kosova dërgon në Gjermani mbi 30 mostra, për testim për variantin Omicron

Prishtinë, 6 dhjetor 2021 – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) i ka dërguar në Gjermani 30 mostra pozitive të COVID-19, për analiza më të detajuara për variantin e Omicron.

Këtë e ka konfirmuar Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK.

“Po janë dërguar sot disa mostra në Gjermani. Nuk e di saktë se sa, por janë më shumë se 30. Mostrat dërgohen atje dhe analizat cilindo variant e detektojnë. Ne dërgojmë në mënyrë të rregullt mostra“, ka thënë ai për Express.

Rezultatet e testeve pritet të arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji.

Shkencëtarët dyshojnë se varianti Omicron mund të jetë më ngjitës se varianti Delta. Me këtë variant po infektohen edhe personat që i kanë mattë dy doza të vaksinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur atë “variant shumë të rrezikshëm për të gjithë globin”.

(r.m.)