Kosova dhe kinematografia e saj në literaturë amerikane

30 - Ballina e LibritPas njohjes dhe bisedave me aktorin, regjizorin dhe producentin Avni Abazi, profesori amerikan Andrew Horton trajton Kosovën si shtet më vete në librin mbi kinematografinë e vendeve në tranzicion në Evropën Lindore dhe Qendrore pas vitit 1989

 

Nga Ibadete Kutllovci

Temple University Press në Philadelphia të SHBA-ve, me 11 janar 2013, nxori nga botimi librin “Kinemaja e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore pas vitit 1989 (Cinemas in Transition in Central and Eastern Europe after 1989)”. Libri në mënyrë koronlogjike pasqyron kinematografinë kombëtare dhe kulturat përmes një analize të filmave nga Republikat Çeke dhe Sllovake, ish-Republika Demokratike Gjermane, Hungaria, Polonia, Bullgaria, Rumania, Ukraina, dhe shtetet nga ish-Jugosllavia. Rëndësia e këtij libri për lexuesin shqiptar qëndron në faktin që në mesin e shteteve të ish Jugosllavisë është edhe Kosova si shtet.
Në këtë botim, autorët e shumë librave profesionalë mbi kinematografinë, Catherine Portuges dhe Peter Hames mblodhën bashkë autorë me famë si: Barton Byg, Alexandra Foamente, Andrew Horton, Dina Iordanova, Ewa Mazierska, Bohdan Y. Nebesio, dhe Bogdan Stefanescu, te cilët ne mënyrë profesionale plotësuan boshllëkun kinematografik të periudhës pas vitit 1989. Ata me kontributin e tyre, ndriçojnë prodhimet kinematografike në prag të kolapsit të Bashkimit Sovjetik, thyerjes se murit të Berlinit dhe shpërbërjes se Jugosllavisë, duke mos u ndalur vetëm ne lëvizjet politiko sociale të viteve 89, ata në këtë libër emocionues na pasqyrojnë edhe ndryshimet estetike dhe infrastrukturore në kinematografi, duke treguar nevojën e domosdoshme të bashkë-prodhimeve filmike në mes të shtëpive filmike të këtyre vendeve me kompani filmike në Evropën Perëndimore dhe Amerikën, në mënyrë që tregu i filmit të globalizohet ndërkombëtarisht.
Skenaristi i filmit të parë të aktorit Brad Pitt “The Dark Side of the Sun” dhe autori i mbi pesëmbëdhjete librave mbi artin e shtate, profesori Andrew Horton, në “Cinemas in Transition“ shkruan kapitullin mbi kinemanë në vendet e dala nga Jugosllavia. Kapitulli “Cinema Haunts My Memory – Kinemaja, e ngulitur në kujtesën time”. Ai na jep një përmbledhje faktografike të sukseseve të kineasteve më eminent të dale nga Jugosllavia dhe përshkruan rrugëtimin se si arritën këta kineaste të mbijetojnë gjate pavarësimit të vendeve të tyre nga Jugosllavia. Ai përshkruan edhe aspekte historiko politike nëpër të cilët kaluan artistët në përgjithësi gjatë luftërave në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.
Tek pjesa kur shkruan mbi shtetin e Kosovës z. Horton, ndalët në mënyrë te veçantë në periudhën 1989-1999 kur përshkruan vitet e vështira nen sundimin e Millosheviçit dhe thotë se gjatë asaj periudhe njerëzit e Millosheviçit mbyllën Kosova Filmin dhe televizionin e Prishtinës, duke lënë pa punë artistet dhe kineastet, të cilët u detyruan të emigrojnë jashtë.
Në përshkrimin pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, Horton tregon fakte të rëndësishme se si afër 58% të shtëpive në Kosovë ishin shkatërruar dhe se si u kthyen në vendin e tyre një milion refugjate të depërtuar jashtë Kosovës gjatë luftës. Në arritëm që të marrim një prononcim të shkurtër nga z. Horton. Në pyetjen tone se pse vendoset që shtetin e Kosovës ta fusni në mesin e shteteve te Jugosllavisë edhe pse nuk është anëtare e OKB-së, ai u përgjigj: “Me duhet të jem i sinqerte. Unë para se të takoja një filmbërës tuajin nuk kisha idenë që Kosova kishte film, Nuk me kishte rënë të dëgjoja edhe pse dija që Kosova ekzistonte për shkak të shumë ngjarjeve që ndodhnin atje. Takimi me Avni Abazin me ka dhënë impresion krejt tjetër për Kosovën dhe artistet atje, Avniu me mburrje tregonte që disa filma kosovarë janë shpërblyer në kuadër të festivaleve në Jugosllavi”.
Në pyetjen tone se sa ishte e vështire të shkruante për Kosoven? Ai u përgjigj: “S’e kam pas të vështire të shkruaj për Kosovën sepse Avniu kishte disa prezantime në 2002 në universitete amerikane me temën filmi dhe media në Kosovë dhe Ballkan, dhe unë përmblodha theksat kryesore, ato që me duheshin dhe i botova. Me vjen keq që s’kam arritur të përfshij disa produksione filmash pas vitit 2004 të prodhuara në Kosove. E sidomos filmin e fundit të regjisorit Agim Sopi ‘Agnus Dei’ për të cilin Avniu me ka treguar që ka udhëtuar ne shume festivale ndërkombëtare”.
Ne historikun kinematografik të shtetit të Kosovës, përmendën filmat Kukumi me regji të Isa Qosjes, Etjet e Kosovës me regji të Sunaj Raqes dhe Rrugët që Vrasin me regji te Halil Budakovës. si dhe kronologjikisht pasqyrohet ndërtimi i institucioneve të kulturës pas luftës në Kosove, Njëherit z Horton nuk le pa përmendur faktin që SHBA ka ndihmuar shtetin e ri të Kosovës edhe në film dhe televizion duke financuar serialin e parë të pas luftës në Kosovë Jeta e Një Tokë, dhe rrugëtimin e këtij seriali në SHBA.
Për këtë në biseduam me ideatorin dhe producentin e serialit Jeta e Një tokë, z. Avni Abazi.
“Ishte surprize e këndshme dalja e këtij libri dhe kur e pashë Kosovën krah shteteve tjera u gëzova pa masë”, pohon Abazi, duke vazhduar me tej: “Nuk e mohoj që ndihem krenar të jem në një libër me kaq peshë dhe nga autorë shume të fuqishëm dhe të lexuar anë e mban botës nga profesionistet e filmit, por pa modesti me duhet të them që të jesh ne mesin e emrave si Danis Tanovic dhe Milco Manchevski, njeri fitues Oskari, dhe tjetri i nominuar, është vërtet sadisfakcion. Mos të harrojmë që në shumë literatura mbi Evropën Juglindore Kosova nuk figuron fare, ose edhe aty ku figuron prezantohet si pjesë e Serbisë, e diku edhe më keq si Krahine autonome e saj. Për këtë me duhet të potencoj që vërtet i jam mirënjohës Z. Horton që ka thyer paragjykimet dhe na ka prezantuar si shtet në këtë libër”.
Nga shumë lexues dhe studiues që kanë lexuar librin “Cinemas in Transition” arrijnë në konkluzionin që ky libër është kontribut shumë i rëndësishëm për studimet e kinemasë, studime europiane, studimet tranzicionale demokratike, dhe studimet post-komuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore pas vitit 1989, duke na ardhur si freski e lehte dhe shumë informative mbi atë se çfarë ka ndodhur pas Luftës së Ftohtë në film të Evropës dhe më gjere. Libri mund të blihet online në amazon dhe kushton 83 dollarë.

Autorja është studente e Dramaturgjisë pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë.