Prishtinë, 17 dhjetor 2021 – Kosova dhe Kroacia nënshkruan të enjten një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Marrëveshja u nënshkrua në Prishtinë nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, dhe homologu i tij kroat, Mario Banozic.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, dy ministrat thanë se dy vendet do të thellojnë bashkëpunimin në fusha që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.
Mehaj tha se marrëveshja është kurorëzim i miqësisë sëngushtë midis dy vendeve.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona nuk janë thjesht marrëdhënie diplomatike, por janë shumë më tepër. Si popuj, na bashkojnë sfida të ngjashme të së kaluarës, çka e forcon edhe më shumë miqësinë mes vendeve tona. Jemi së bashku në rrugën e së ardhmes të vendeve tona. Miqësinë e kurorëzojmë sot me nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtje dhe siguri, me këtë hapet rruga për bashkëpunim dhe mundësi më të ngushta sa i përket shkollimit dhe trajnimit të personelit ushtarak”, tha Mehaj.
Ndërsa Banozic tha se Kroacia e mbështet procesin e transformimit të FSK-së në ushtri dhe anëtarësimin e Kosovës në institucione euroatlantike.
“Ne e përkrahim anëtarësimin e Kosovës në institucione të ndryshme euroatlantike. Ne po ashtu e mbështesim procesin e transformimit të FSK-së në forca të armatosura dhe kjo është pjesë e memorandumit të bashkëpunimit. Do të vazhdojmë të ofrojmë bashkëpunim në fushën e trajnimeve dhe shkollimit”, tha Banozic.
(r.m.)