Kosova dhe Maqedonia e Veriut i nëshkruajnë tri marrëveshje të reja bashkëpunimi

Prishtinë, 18 nëntor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi i tij nuk ka asnjë mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut dhe dy vendet kanë komunikim të vazhdueshëm për tema me interes të përbashkët.

Kurti e ka bërë këtë deklaratë në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të të dy vendeve, në Prishtinë.

Në këtë mbledhje janë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi midis Kosovës e Maqedonisë së Veriut: marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e energjisë, marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe marrëveshja për lehtësimin e lëvizjes së lirë.

Kryeministri Kurti ka thënë se zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të nisë nga janari i vitit 2025.

“Pas shumë kohe pritjeje, më në fund, do të kemi kontroll të përbashkët në pikat Han i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë. Ky model kontrolli bëhet vetëm hyrje-hyrje dhe zyrtarët policorë punojnë në të njëjtën ndërtesë duke lehtësuar kalimin kufitar, dhe rrjedhimisht duke shkurtuar kohën e pritjes”, ka thënë Kurti, citon Radio Evropa e Lirë.

Kurti ka thënë se protokolli për energjinë përbën “hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë së furnizimit me energji për dy vendet tona”.

“Të dyja ministritë do të angazhohen për t’i adresuar sfidat e energjisë duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për arritjen e objektivave të përbashkëta. Po zotohemi të nxisim projekte për energjinë e ripërtishme dhe efiçencë energjetike, si dhe për të thelluar bashkëpunimin e ekspertëve në mes të korporatave tona të energjisë”.

Për memorandumin për arsimin, Kurti ka thënë se fokusi do të jetë në aftësimin profesional dhe në aftësimin e të të rriturve.

Mickoski e ka lavdëruar gjithashtu takimin dhe ka thënë se marrëveshjet e arritura do të kenë ndikim pozitiv për njerëzit dhe përparimin ekonomik.

“Të bisedojmë për të ardhmen, në vend që të flasim për të kaluarën. Qytetarët kanë probleme të përbashkëta, prandaj do të kemi zgjidhje të përbashkëta”, ka thënë Mickoski.

Përgjatë mbledhjes mes dy qeverive, Kurti ka përmendur se dy vendet i kanë nënshkruar 50 marrëveshje deri më tani, por “ajo që duhet të bërë tash është zbatimi i tyre”.

“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona pasqyrohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti në 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019, ku qëndronte 284 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, nga 48 milionë në vitin 2019, në 121 milionë në vitin 2023.

“Në Maqedoninë e Veriut e shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur, jo vetëm përmes gjeografisë, por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i shohim si vlera e shtuar, si ura të bashkëpunimit më të ngushtë dhe më të fuqishëm mes vendeve tona”, ka thënë ai.

Pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është edhe koalicioni shqiptar VLEN, i cili përbëhet nga partitë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët.

Shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milion të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri maqedonas tha se kanë treg të përbashkët prej 17-18 milionë euro, dhe shtoi se u pajtua me Kurtin gjatë një takimi dypalësh që ky bashkëpunim tregtar të rritet në rreth 500 milionë euro.

“Nëse punojmë së bashku do të jemi më të fuqishëm, meqë uniteti i bën fqinjët edhe më të fuqishëm. Synojmë që bashkëpunimi tregtar të jetë edhe më i madh në vitet në vijim dhe do të na sjellë përfitime. Jam i bindur që do t’ia dalim”, tha Mickoski.

Takimi i përbashkët i dy qeverive vjen pas një vizite që Kurti me ministrat e tij e bëri në Shkup këtë verë, pak muaj pasi ishte formuar Qeveria e Mickoskit.

Ky është takimi i dytë ndërqeveritar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pas atij në vitin 2021.

(r.m.)