Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat

Bruksel, 23 nëntor 2022 – Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targat e automjeteve, të mërkurën mbrëma, në Bruksel.

Lajmin e publikoi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

“Kemi marrëveshje.

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi zoti Borrell.

Borrell bëri të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kanë rënë dakord për të hequr dorë secila nga veprime që kanë çuar në tensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës dhe midis dy vendeve dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, shkroi Borrell.

Ai u bëri thirrje palëve që në ditët në vijim të diskutojnë për hapat e ardhshëm.

Njëkohësisht e vlerësoi punën e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun dhe kryenegociatorët e dy shteteve.

“Falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur”, ka thënë Borrell.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nuk janë prononcuar ende lidhur me marrëveshjen.

Takimi i tyre që rezultoi me marrëveshje u zhvillua vetëm dy ditë pas takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili nuk dha marrëveshje.

Ky takim u mbajt gjatë pezullimit 48 orësh të vendimit për gjobitjen e pronarëve të automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia. Pezullimi u bë nga kryeministri Kurti, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(r.m.)