Bruksel, 19 mars 2024 – Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegoaciatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel bashkë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e dinarit serb në Kosovë, pasi me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës ndalohet përdorimi i cilësdo valutë, përveç euros, në transaksionet me para të gatshme.
Pas përfundimit të takimit u njoftua se palët janë marrë vesh që deri të premten, më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohjë zgjidhja afatgjate e çështjes së dinarit. Pastaj, javën e ardhshme, do të mblidhemi sërish që të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi, citon transmetuesi publik i Kosovës, RTK.
Bislimi ka thënë se në këtë takim është diskutuar edhe për avancimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, të arritur në Bruksel, dhe të Aneksit implementues, të miratuar në Ohër. Ai ka thënë se kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka bërë të qartë se Beogradi e pranon në mënyrë selektive Marrëveshjen e Brukselit, duke theksuar se Serbia do të zbatojë vetëm pikat që nuk kanë të bëjnë me statusin e Kososovës.
“Iu bishtnua përgjigjes disa herë. Në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja, pasi ka nene të cilat kanë të bëjnë me statusin [e Kosovës], sidomos ato nene që kanë të bëjnë me integritetin territorial [të Kosovës], me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme. Në fakt, na u tha se Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013, të cilën e kishin nënshkruar, ai tha: ‘Ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen për statusin [e Kosovës]”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, ndërmjetësi i takimit, Miroslav Lajçak, arriti në konkulzionin se Serbia e ka problem të lëvizë në drejtim të zbatrimit të marrëveshjes.
Ndërkaq, Petkoviq ka thënë se gjëja e parë për të cilën këmbëngul Beogradi është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, me themelimin e Asociacionit do ta zgjidhej edhe, siç është ashprehur, “çështja e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”.
Petkoviq ka thënë se është e rëndësishme gjithashtu që të gjendet një zgjidhje, e cila do të mundësonte vazhdimin e funksionimit të Kursimores së Postës së Serbisë në Kosovë.
Ai ka thënë se pret që bisedimet të vazhdojnë “në frymë konstruktive”, ndoshta në fillim të javës së ardhshme.
Kjo ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime me zyrtarë të Qeverisë së Serbisë pas 1 shkurtit, kur hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb në pagesat me para të gatshme në Kosovë.
Kjo rregullore u bë temë bisedimesh mes Kosovës e Serbisë, në Bruksel, me insistim të faktorit ndërkombërtar, i cili kërkoi pezullimin e rregullores deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të lehtë për serbët që marrin paga, pensione ose ndihma sociale nga Serbia.
Më herët, në një intervistë dhënë Radio Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për Kosovën janë të papranueshme propozimet për dinarin që bien ndesh me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës.
(r.m.)